Lidhje

Kryeministri Thaçi: Bashkëpunimi me SHBA është një vlerë dhe jo nevojë për Kosovën

  • Laura Konda

Në një intervistë ekskluzive për programin televiziv “Ditari”, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se në takimet e tij me nënpresidentin Joseph Biden dhe me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, ai mori mbështetjen “unike dhe të jashtëzakonshme” të Washingtonit për përparimin dhe sukseset e realizuara në Kosovë.

Zoti Thaçi tha se me zyrtarët e lartë të adminsitratës Obama ai diskutoi lidhur me hapat e mëtejshëm që do të ndjekë shteti i ri në rrugën drejt demokracisë. Ai tha se Nënpresidenti Biden dhe sekretarja Clinton e kishin siguruar për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës në përpjekjet për integrimin Euroatlantik, si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Zoti Thaçi e cilësoi bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara si vlerë dhe jo një nevojë për Kosovën dhe ai shtoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“2012 - tha ai, - është viti i përfundimit të pavarësisë së mbikqyrur të Kosovës, një sukses i madh për vendin, në saje të bashkëpunimit të institucioneve të saj dhe të gjithë spektrit politik.”

Zoti Thaçi tha se kompromiset e kohëve të fundit me Serbinë u arritën në përputhje me ligjet e Kosovës. “Ajo që ka shumë rëndësi, për këto bisedime - tha ai,- është se Kosova flet dhe vendos për herë të parë për vetveten dhe se në këtë dialog jane respektuar vendimet ndërkombëtare për Kosovën”.

Zoti Thaçi tha se shtetndërtimi nuk ka të bëjë me një proces populist dhe elektoral, prandaj ai nuk duhet futur ne korniza partiake. Kjo është arsyeja, tha ai, që në raport me shtetndërtimin nuk duhet të ketë ndarje pozitë-opozitë.

I pyetur lidhur me tensionet e kohëve të fundit pas arrestimeve të ndërsjella nga Prishtina dhe Beogradi, zoti Thaçi tha se qeveria nuk dëshiron të ketë tensione mes shtetit të Kosovës dhe asnjë vendi, “ne duam të ketë bashkëpunim, në frymën e vlerave atlantike dhe të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal. Kjo është zgjidhja e vetme për të ecur përpara dhe për të mos e penguar njëri tjetrin në rrugën drejt integrimit në BE dhe në NATO”.

Pyetjes mbi strategjinë e qeverisë për veriun e vendit, zoti Thaçi ju përgjigj se integriteti i Kosovës respektohet nga e gjithë bota demokratike dhe nga 89 vendet që e kanë njohur republikën e Kosovës. Ndërsa lidhur me bisedimet Prishtinë-Beograd dhe trajtimin e çështjes së veriut në to, zoti Thaçi tha se bisedimet janë bërë me miratimin e Parlamentit të Kosovës dhe në përputhje me legjislacionin e vendit. “Është e rëndësishme që marrëveshjet e arritura deri tani të zbatohen. Ne në asnjë rast nuk do të lejojmë ndonjë autonomi për veriun, status special, apo ndarje të Kosovës. Më 25 korrik të vitit të kaluar është shuar ëndërra e Serbisë për ndarjen e Kosovës”- tha Kryeministri Thaçi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG