Lidhje

Thaçi: “Beogradi po nxit dhunë në veriun e Kosovës”


Thaçi: “Beogradi po nxit dhunë në veriun e Kosovës”

Thaçi: “Beogradi po nxit dhunë në veriun e Kosovës”

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se qeveria e tij dhe misionet ndërkombëtare kanë hartuar një udhërrëfyes për rivendosjen e rendit në veri, ndërsa akuzoi Beogradin se po nxitë reagime të dhunshme ndaj planeve për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një ditë më parë presidenti serb Boris Tadiç, paralajmëroi se planet e tilla të Kosovës mund të nxisin sërish konfliktin në rajon.

Kryeministri Thaçi, tha sot në një konferencë me gazetarë, se në veri do të zbatohet një strategji e qartë për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe vendosjen e sundimit të ligjit. Ai tha se më 16 shtator do të fillojë zbatimi i vendimit për rifillimin e funksionimit të plotë kufitar dhe doganor në të dyja vendkalimet kufitare në veri.

Funksionalizimi i tyre do të bëhet duke iu nënshtruar disa rregullave strikte. KFOR-i do të operojë në pajtueshmëri me mandatin e tij. Autoritetet e Kosovës do të kenë autoritetin komandues, ekzekutiv. Policia e Kosovës, doganat dhe EULEX-i do ta kenë në dispozicion personelin dhe resurset për kryerjen e kontrolleve”, theksoi ai duke shpjeguar se vendkalimi në Jarinë do të jetë e mbyllur për lëvizjen e mallrave deri në rindërtimin e postës së djegur kufitare.

Një pjesë e rrugëve në veriun e Kosovës janë bllokuar sërish mbrëmë nga banorët serbë, në shenjë kundërshtimi ndaj planeve të Prishtinës. Bllokada janë vendosur edhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Kryeministri Thaçi tha se veprimet e tilla janë të nxitura nga Beogradi.

Fatkeqësisht, Serbia në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme, është duke përgatitur strukturat e saja ilegale dhe kriminale që të shkaktojnë dhunë dhe të pengojnë autoritetet legjitime në zbatimin e kontrollit kufitar dhe shërbimeve doganore. Jam i sigurt dhe i bindur se këto përpjekje do të jenë të kota, ashtu siç kanë qenë të kota qëllimet e Serbisë për ndarjen e pjesës veriore të Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Bllokimi i rrugëve ndodhi vetëm pak kohë pasi që autoritetet e Beogradit paralajmëruan mundësinë e shpërthimit të dhunës nëse Prishtina synon të përmbushë planet e saj. Presidenti i Serbisë, Boris Tadic tha dje gjatë një konference për shtyp në Beograd, se është njoftuar në rrugë diplomatike për planin e Prishtinës dhe Beogradi do të shfrytëzojë diplomacinë për të kundërshtuar zbatimin e tij.

Nën asnjë trysni, Serbia nuk do të pranojë një gjë të tillë, sepse zgjidhja për këtë çështje duhet të kërkohet nëpërmjet bisedimeve. Një zgjidhje që nënkupton vendosjen e doganierëve shqiptarë dhe policisë kufitare shqiptare, nuk po e them të Kosovës sepse Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj, nuk është zgjidhje afatgjatë e as e qëndrueshme që siguron një proces të paqes në atë hapësirë”, ka deklaruar presidenti serb Boris Tadic. Sipas tij përgjegjësia për pasojat e veprimeve të njëanshme do të bie mbi ata që e planifikojnë dhe e mbështesin një veprim të tillë të Prishtinës.

Unë i dëgjoj deklarimet dëshpëruese dhe frustuese të Beogradit, por Beogradi është krejt i pa ndikim në këtë proces. Kosova është vend sovran”, tha ndërkaq kryeministri Thaçi.

Dhuna mbërtheu veriun e Kosovës në fund të muajit korrik, kur qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme të policisë për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare veriore me Serbinë. Një pjesëtar i policisë u vra, ndërsa grupe serbësh dogjën njërin nga vendkalimet kufitare. Dhuna bëri që forcat paqeruajtëse të NATO-s të marrin nën kontroll vendkalimet kufitare të cilat I shpallën zona të kufizuara ushtarake. Paqeruajtësit siguruan një marrëveshje të përkohshme që skadon më 15 shtator, ndonëse ishte lënë e haur mundësia e vazhdimit të gjendjes aktuale në veri varësisht nga zhvillimet në terren.

Më 2 shtator Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje lidhur me përdorimin e e vulave doganore dhe sipas qeverisë së Kosovës tash po bëhen përgatitjet për ri funksionalizimin e vendkalimeve kufitare, por Beogradi thekson se njohja e vulave nuk nënkupton edhe vendosjen e doganierëve të Kosovës në veri.

XS
SM
MD
LG