Lidhje

Daçiç optimist për bisedimet me BE


Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, shfaqi shpresën se vendi i tij do të marrë gjatë javës që vjen, datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me gjithë dështimin e së premtes për të arritur marrëveshje me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës. Ai tha se në Bruksel grupet punuese të Beogradit dhe Prishtinës po vazhdojnë diskutimet mbi çështjet e pazgjidhura të drejtësisë.

Këto do të jenë pjesë e rëndësishme e raportit të shefes së politikës së jashtme Catherine Ashton, para vendeve të Bashkimit Evropian mbi zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në bazë të raportit të zonjës Ashton, kërkohej që të martën të miratohej kuadri i bisedimeve dhe të propozohej data e fillimit të negociatave për anëtarësim të Serbisë, vendimin për të cilin pritet ta marrë Këshilli Evropian të enjten dhe të premten.

Kryeministri serb tha se një "jo" e mundshme do të ndikonte negativisht në tërë procesin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizim marrëdhëniesh në përpjekje për të siguruar integrimin në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG