Lidhje

Thaçi: Zbatimi i marrëveshjes, jetik për të dy vendet

  • Arben Xhixho

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet në Shtetet e Bashkuara për një vizitë zyrtare, gjatë së cilës u takua me nën-presidentin Jo Biden.

Kryeministri Hashim Thaçi ndodhet në Shtetet e Bashkuara për një vizitë zyrtare gjatë së cilës u takua dje me nën-presidentin Jo Biden. Nën presidenti amerikan shprehu mbështetjen e tij për marrëveshjen Kosovë Serbi për veriun e Kosovës dhe bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjes sa më shpejtë dhe në mënyrë të plotë. Pas takimit kryeministri Thaçi i tha Zërit të Amerikës se zbatimi i marrëveshjes është jetik për të dyja vendet dhe integrimet e tyre evropiane.



Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, takimi me zv/Presidentin Biden bëhet në një moment kur Kosova ka hyrë në një fazë të re marrëdhëniesh me Serbinë, marrëdhënie më cilësore. Me çfarë mesazhi dolët ju nga ky takim?

Hashim Thaçi: Natyrisht, ky takim ka të veçantën e vet, sepse jemi në fillim të një procesi krejt të ri mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, atë të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë. Kemi arritur marrëveshjen e paqes dhe konstatuam bashkarisht që është momenti jetik që të fillojë dhe implementimi i kësaj marrëveshjeje – pasi kemi arritur edhe marrëveshjen teknike – në mënyrë që të respektohen me plotësi periudhat kohore dhe aktorët implementues për funksionimin normal të shtetit të Kosovës edhe në veri të vendit. Prandaj u rikonfirmua edhe një herë nga zv/Presidenti Biden mbështetja e plotë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, si një mbështetje e fuqishme në të gjitha sferat. Një mbështetje kjo që i është dhënë Kosovës dhe Serbisë, por edhe të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin e arritjes së marrëveshjes në Bruksel. Kështu që kthehem në Kosovë me optimizmin dhe besimin e madh se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë afër nesh, me ne, në procesin e konsolidimit të shteti tonë dhe në procesin e integrimit sa më të shpejtë të Kosovës në NATO dhe BE.

Zëri i Amerikës: Zv/Presidenti Biden theksoi që marrëveshja e arritur me Serbinë të zbatohet sa më shpejt dhe e plotë. Po bëhen gati dy muaj që kur është nënshkruar marrëveshja dhe në terren ajo është zbatuar vetëm pak ose aspak. Kur mendoni që pjesët e marrëveshjes për të cilat keni rënë dakord me homologun tuaj serb do të bëhen të prekshme për njerëzit në terren?

Hashim Thaçi: Me rëndësi është që ekipet tona teknike dhe profesionale po takohen në Bruksel. Çdo ditë e më tepër po afrohemi drejt marrëveshjeve për implementim dhe ka lëvizje drejt hapave konkrete në terren për lëvizje të lirë, për shtrirjen e autoritetit të policisë së Kosovës në të gjithë territorin e vendit sipas ligjeve të Kosovës, për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe gradualisht adaptimin apo legalizimin e strukturave të buta të shëndetësisë, edukimit por edhe të shërbyesve civilë. Ndërsa në anën tjetër edhe integrimi individual për njerëzit që kanë punuar në struktura të ndryshme, përmes një procesi verifikues nga EULEX-i, pra nuk do të ketë një integrim masiv siç mund të paraqitet aty-këtu. Për t’u përgatitur pastaj në tetor për të organizuar zgjedhjet e para të lira edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, dhe pastaj atje të zgjidhen liderët legjitimë, në mënyrë që institucionet e vendit të kenë mundësi të bisedojnë dhe të bashkëpunojnë me këta liderë. Për të vazhduar pastaj me investimet socio-ekonomike për të ndryshuar jetën edhe në veri, në mënyrë që të krijohen kushte për një jetë më të mirë, për punë, për rritje të mirëqënies sociale, për një jetë më pranë modelit të standarteve evropiane.

Zëri i Amerikës: Kanë mbetur më pak se tre javë nga vendimi që Bashkimi Evropian pritet të marrë si për Serbinë, lidhur me datën e negociatave për anëtarësim, po ashtu edhe për Kosovën, në lidhje me hapjen e bisedimeve për Stabilizim Asocimin. A mendoni se kjo është një kohë e mjaftueshme që të ketë përparim?

Hashim Thaçi: Serbia vazhdimisht është përpjekur që të zhagisë procesin e implementimit. Kundërshtarë marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka pasur edhe në Prishtinë, ka pasur edhe në Beograd, ka pasur edhe elementë të tillë kundërshtues në veri. Unë i kuptoj ata zëra kundërshtues që janë në Prishtinë, por zëri i tyre po zbehet gjithnjë e më tepër dhe po adaptohen me vendimin tonë të drejtë. Vendimi ynë i drejtë është konfirmuar në kuvendin e Kosovës ku kemi fituar besimin e 2/3 të deputetëve të kuvendit të Republikës së Kosovës. Pres që në ditët e ardhshme të ratifikohet kjo marrëveshje pasi ditët po kalojnë. Por unë dua të theksoj se ka hapësirë dhe ka kohë për të filluar me veprime konkrete, në mënyrë që më datën 28 qershor në Bruksel të dëshmohet se kanë ndodhur hapa implementues konkretë në terren. E di që nuk do të mund të kryhen të gjitha punët brenda një periudhe shumë të shkurtër, por me rëndësi është që të fillojë agjenda implementuese, të marrin rolin që u takon si EULEX-i ashtu edhe KFOR-i dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe Serbia të respektojë në tërësi marrëveshjen.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, marrëveshja synon në fund të fundit integrimin e kësaj pjese të Kosovës me pjesën tjetër të vendit. Por biseda me palën serbe atje më shumë bëhet nga zyrtarët në Beograd sesa nga Prishtina. A keni ju kanale me anë të të cilave bisedoni me atë pjesë të Kosovës ku nuk e njohin autoritetin e Prishtinës, të drejtpërdrejta apo të tërthorta?

Hashim Thaçi: Më herët ka munguar një komunikim i tillë, sepse serbët në veri kanë qenë të gënjyer e të mashtruar nga politika e Beogradit se do të ndodhte ndarja e Kosovës, se do të ndodhte formimi i një Republika Srpska, se do të ndodhte një autonomi, por asnjëra prej tyre nuk ndodhi. Tani kemi marrëveshjen e paqes, marrëveshjen integruese. Njerëzit atje kanë filluar të vetëdijësohen, megjithë kundërshtimet e disa elementëve që kundërshtojnë edhe Prishtinën, e tani edhe Beogradin. Por edhe zëri i tyre gjithnjë e më tepër është më jondikues tek popullata në veri. Prandaj kanë filluar komunikimet fillestare, komunikime këto që do të rezultojnë edhe në komunikime zyrtare. Dhe gradualisht, edhe me lehtësimin e OSBE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare, do të ndërtojmë relacione normale, relacione bashkëpunimi dhe relacione të interesit të përbashkët, sepse tek e fundit Kosova është atdhe i të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë: shqiptarëve, serbëve, malazezëve, turqve, boshnjakëve, e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, e kemi një qëllim.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, në Kosovë ka kritika se gjatë gjithë këtyre muajve të fundit vëmendja dhe energjia e qeverisë është përqëndruar kryesisht tek bisedimet me Serbinë dhe po lihen pas, pra po lihen në harresë, disa probleme të tjera të rëndësishme me të cilat duhet të ndeshet Kosova. E kam fjalën për çështjen e korrupsionit. Pak dëgjohet përparim në luftën kundër korrupsionit.

Hashim Thaçi: Kosova ka pasur fat që sistemin e drejtësisë e kanë udhëhequr ndërkombëtarët që prej 15 vjetësh, pra kanë pasur mandatin ekzekutiv. Por tani Kosova ka përmbyllur me sukses të plotë mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë. Përmbyllja me sukses e kësaj mbikëqyrjeje ka ndodhur pikërisht duke respektuar, pranuar dhe afirmuar reformat demokratike që kemi bërë në Kosovë, të cilat janë vlerësuar tashmë edhe prej bashkësisë ndërkombëtare, pra reforma në ekonomi, në politikë apo në legjislacion. Tani po lëvizim edhe drejt integrimeve evropiane. Do të fitojmë së shpejti procesin e MSA-së, që është gjithashtu një vlerësim i BE-së për arritjet në Kosovë. Por jam i vetëdijshëm se tani që jemi në procesin e tranzicionit të EULEX-it, kur autoritetet kosovare do të marrin më tepër mandat ekzekutiv ndërsa EULEX-i do të marrë më tepër rol këshillues apo monitorues, ne duhet të bëjmë më tepër edhe për sistemin e drejtësisë, të rendit dhe ligjit, e të bëjmë reformat e nevojshme dhe të domosdoshme sa më shpejt që është e mundur. Pra jam i vetëdijshëm që duhet të bëjmë edhe më tepër në luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve dhe në luftën kundër çdo fenomeni negativ.
XS
SM
MD
LG