Lidhje

Thaçi: “Ishte momenti i fundit për ndërtimin e institucioneve dhe shmangien e krizës së re”


Thaçi: “Ishte momenti i fundit për ndërtimin e institucioneve dhe shmangien e krizës së re”
Thaçi: “Ishte momenti i fundit për ndërtimin e institucioneve dhe shmangien e krizës së re”

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se mospajtimet dhe debatet rreth zgjedhjes së institucioneve të reja, të cilat përfshinë edhe zyrtarë të Partisë Demokratike janë pasqyrim i demokracisë së brendshme. Ai thotë se Kosova kishte kaluar një krizë politike dhe institucionale disamuajshe dhe nuk mund krijonte një krizë të re. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryeministri Thaçi, flet edhe për bisedimet me Serbinë, që pritet të fillojë gjatë muajit mars.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, sot u mbushën shtatë ditë të funksionimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare, krijimi i të cilave kaloi me shumë bujë për shkak të zhvillimeve në Parlament. Si i vlerësoni ju këto zhvillime?

Hashim Thaçi: Dua të theksoj se nëse mandati i parë i qeverisë sime ishte bërja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, mandati i dytë do të jetë mandati i Kosovës evropiane, i reformave demokratike, i thellimit të angazhimeve të gjithanshme të spektrit politik dhe institucional për avancimin e gjithë këtyre proceseve, mund të them të progresit të shumanshëm. Kështu që kemi një përkushtim maksimal të institucioneve, të presidencës, të Kuvendit, por edhe të qeverisë, më njerëz jashtëzakonisht kredibil, të përgjegjshëm, të përgatitur, për sfidat e ardhshme, kështu që kam besim të plotë në suksesin e ri.

Zëri i Amerikës: Edhe me gjithë vërejtjet, me gjithë përplasjet që u shkaktuan gjatë zgjedhjes së këtyre institucioneve?

Hashim Thaçi: Natyrisht se demokracia është diçka që mund të kesh dhe duhet të kesh ballafaqim idesh dhe alternativash. Sot Kosova ka një qeveri jashtëzakonisht stabile, shumë të avancuar dhe me një perspektivë dhe vizion të qartë evropian. Por, kemi natyrisht kemi edhe kundërshtime opozitare, që në një formë a formën tjetër, rrit vlerat e zhvillimit të demokracisë në Republikën e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër. Mospajtimet më te thella ishin rreth votimeve për presidentin e vendit. Si u siguruan votat për presidentin?

Hashim Thaçi: Unë nuk dëshiroj të merrem me çështjet teknike apo procedurale të Kuvendit, u takon vet autoriteteve të Kuvendit që të deklarohen dhe të japin shpjegimet e nevojshme dhe të domosdoshme, por dua të theksoj se institucionet kanë pasur dhe kanë një legjitimitet të plotë qytetar dhe aspektin e drejtë legal. Dhe sa i përket legjitimitetit dhe legalitetit, dua të theksoj se edhe ish presidentët e mëhershëm nuk kanë pasur më tepër se 62-63 vota të Parlamentit të Kosovës. Kështu që, në këtë drejtim mendoj se lëshimet që kanë ndodhur do të evitohen prej autoriteteve të Kuvendit, ndërsa qeveria do të vazhdojë me prioritetet e veta. Unë jam tani shumë i fokusuar në agjendën time për implementimin e premtimeve që i kam dhënë para qytetarëve, të cilët më besuan mandatin e dytë për reformat e thella demokratike që do t’i bëjë, qoftë në ekonomi, në politikë, apo në legjislacion, të punojmë maksimalisht për raportin e progresit, pra për Kosovën evropiane, për liberalizimin e vizave dhe natyrisht, sa më shpejt që është e mundur të afrohemi për t’u integruar në NATO dhe BE.

Zëri i Amerikës: Edhe anëtarë të partisë suaj thanë se ishte trysnia mbi deputetët që siguroi votat. Si i bindët ju në të vërtetë ata?

Hashim Thaçi: Gjithçka që ka legjitimitet qytetar dhe legalitet është e pranueshme edhe për qytetarin e Kosovës edhe për institucionet e Kosovës edhe për miqtë tanë në Washington dhe Bruksel. Unë e falënderoj gjithë botën demokratike për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë ndërtimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. E theksoj edhe njëherë, aspektet e lëshimeve teknike që kanë ndodhur në Kuvend, janë diçka me të cilat duhet të merret dhe do të merret Kuvendi.

Zëri i Amerikës: A i ka prekur marrëdhëniet brenda partiake, brenda PDK-së, zhvillimi i fundit në Parlament?

Hashim Thaçi: Zhvillimet e fundit kanë qenë jashtëzakonisht pozitive. Kanë qenë zhvillime që u kanë kontribuar të gjithë me vullnetin e tyre të mirë. Natyrisht se demokracia zhvillohet me pjesëmarrje dhe jo bojkot. Unë do të punojë me të gjithë spektrin politik në Parlament dhe jashtë tij për reformat demokratike sepse ato nuk janë vetëm përgjegjësi e qeverisë por edhe e opozitës dhe unë dua të besoj se opozita do t’i kthehet vendit, Parlamentit, ku edhe e ka fituar besimin e qytetarëve që të jetë prezent në Parlament. Besoj se do të punojmë bashkërisht për këto reforma që ndërlidhen me jetën më të mirë për çdo qytetar. Por duhet kuptuar edhe demokracinë e brendshme të partive që gjithnjë e më tepër po avancohet. Por, me rëndësi është që vendimet shtetërore janë vendime që respektohen nga të gjithë.

Zëri i Amerikës: A kishit ndonjë zgjidhje tjetër përveç AKR-së?

Hashim Thaçi: Ne kemi biseduar me spektrin e ndryshëm politik. Kanë qenë me këshilla dhe ndihmesa edhe komuniteti ndërkombëtar. Kam biseduar edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile. Kjo ishte zgjidhja e përshtatshme dhe për momentin zgjidhja që i jepte vendit qeverinë më të mirë të mundshme në historinë politike të tij. Ne kishim kaluar një krizë pesë - gjashtë mujore dhe ishte momenti i fundit që të ndërtojmë institucionet dhe në asnjë rrethanë të krijojmë krizë të re. Prandaj ishte vendimi i organeve drejtuese të PDK-së për të ndërtuar koalicion me AKR-në, listën “Ibrahim Rugova”, gjithashtu me të gjitha komunitetet por edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile. Pra, kemi një qeveri jo njëpartiake, por shumë partiake, me përfaqësues shumë të shquar edhe të shoqërisë civile dhe gjithë etnike. Sot, Kosova e ka qeverinë e munguar në 12 vitet e kaluara. E ka qeverinë e Kosovës evropiane.

Zëri i Amerikës: Kundërshtarët e presidentit Pacolli i kujtojnë atij por dhe juve të kaluarën politike dhe posaçërisht lidhjet me Moskën. A ju pengojnë juve këto lidhje?

Hashim Thaçi: Ne duhet të gjithë të shikojmë kah e ardhmja, nga Kosova evropiane, nga Kosova euroatlantike, nga vizioni ynë që po e implementojmë çdo ditë. Zgjedhja e institucioneve ka qenë e përshëndetur dhe e mirëpritur prej të gjithë miqve tanë në SHBA dhe vendet e BE-së, gjithashtu edhe baronesha (Catherine) Ashton. Kështu që unë i kuptoj edhe xhelozitë edhe konkurrencën politike. Por, institucionet e vendit, definitivisht të gjithë duhet ta kuptojnë, do ta kenë gjithmonë adresën politike të legjitimitetit qytetar dhe legalitetit.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër. Tashmë kanë filluar përgatitjet për bisedimet me Serbinë. Ju keni emëruar edhe shefen e delegacionit, Kur prisnin ju fillimin e këtyre bisedimeve dhe çfarë bë fakt prisni prej tyre?

Hashim Thaçi: Ka qenë një përgatitje e gjatë për shkak të pesë mujorit të asaj krize politike dhe institucionale që kaloi vendi për shkak të largimit të LDK-së nga institucionet në atë kohë. Natyrisht, ne kemi vazhduar me agjendën evropiane dhe euroatlantike të bashkëpunimit ndërfqinjësorë që është në interes tonin por edhe të vendeve të rajonit. Në kuadër të kësaj është edhe bashkëpunimi në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për interesat e dy vendeve dhe popujve tanë. Tani ne kemi emëruar zv/kryeministren, zonjën Edita Tahiri si përgjegjëse për çështje të dialogut dhe bashkëpunimit me të gjithë fqinjët. Është një autoritet i njohur dhe i respektuar me përvojën e gjatë edhe në çështjet e dialogut. Ky dialog do të ketë rezultatet e veta pozitive për dy shtetet tona. Gjithashtu edhe për një jetë më të mirë për qytetarët tanë. E në të njëjtën kohë, ky dialog do të ketë mbështetjen e plotë të SHBA-së, të vendeve të BE-së dhe do të përmbyllet me njohjen reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë. Çështja e dialogut do të jetë një proces shumë transparent, i diskutuar dhe vazhdimisht i informuar Parlamenti i Republikës së Kosovës, me ftesën për ndihmesë të plotë edhe të partive opozitare, sepse kam besim të plotë se të gjitha janë të interesuar ta forcojnë shtetin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Sa herë flitet për bisedimet, veriu i vendit bëhet temë e pashmangshme. A mund ta shohim një veri ndryshe në fund të këtyre bisedimeve?

Hashim Thaçi: Kosova është një, është unike, është sovrane, me integritet territorial të paprekshëm, por të njohur ndërkombëtarisht. Kemi fituar 75 njohje ndërkombëtare. Do të punohet për sundim të ligjit, për organizim të zgjedhjeve të lira në tri komunat në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, për formimin e komunës së re dhe investimet e nevojshme ekonomike për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët në veriun e Mitrovicës.

Zëri i Amerikës: A është e mundur ndonjë formë e trajtimit të veçantë të veriut?

Hashim Thaçi: Do të ketë përkujdesje të shtuar për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara tash e 12 vjet, por në asnjë rrethanë nuk do të cenohet rregullimi i brendshëm kushtetues i Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Vëzhguesit thonë se Kosova shkon në bisedime me një pozicion jo të favorshëm për shkak të problemeve të brendshme politike dhe për shkak të imazhit të saj të dëmtuar edhe për shkak të raportit të Dick Martyt. A mund ta vështirësojnë këtë pozicion këto çështje?

Hashim Thaçi: Kosova si kurrë ndonjëherë më parë është e përgatitur për sfida të reja. Kosova ka qenë e përgatitur që nga Rambouillet kur ka arritur sukses të plotë. Në këto 12 vitet e fundit të bashkëpunimit ndërfqinjësor Kosova ka qenë gjithmonë korrekte. Beogradi gjithmonë ka qenë destruktiv. Kanë thënë analistë të ndryshëm se Kosova është e papërgatitur edhe për takimet e Vjenës, por Kosova e fitoi pavarësinë nga këto takime. Prandaj dialogu i ri për çështje praktike me shtetin fqinjë, Serbinë, është diçka që do të përmbyllet me njohjen e Serbisë për Kosovën si shtet dhe njohja e Kosovës gjithashtu për Serbinë si dy shtete për t’u integruar të dy shtetet në NATO dhe BE. Pra, Kosova është e përgatitur dhe do të ketë sukses.

XS
SM
MD
LG