Lidhje

Thaçi: Raporti i Dik Martit, sulm racist kundër Kosovës


Thaçi: Raporti i Dik Martit, sulm racist kundër Kosovës

Thaçi: Raporti i Dik Martit, sulm racist kundër Kosovës

Kryeministri i Kosovës në dorëheqje, Hashim Thaçi, i tha Zëri të Amerikës se raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, ishte një sulm racist e proverb i drejtuar kundër Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri Thaçi thotë se ky raport mund të ketë pasoja në procesin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës. Ai flet edhe për zgjedhjet në Kosovë dhe përpjekjet për krijimin e qeverisë së re.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, Kosova po përmbyll vitin duke u përballur më nje situatë të vështirë të krijuar pas raportit të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty. A është dëmtuar vendi me këtë raport?

Hashim Thaçi: E para, dua të theksoj se viti 2010 ka qenë një vit i një suksesi të konsoliduar për shtetin e Kosovës, për forcimin e shtetit tonë të ri, për fuqizimin e investimeve kapitale. Në të njëjtën kohë për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, për suksesin historik që kemi arritur me fitoren, me prezantimin e opinionit të GJND-së për bërjen e Kosovës shtet të pavarur e sovran në përputhshmëri me të drejtën ndërkombëtare. Për organizimin e zgjedhjeve të lira për herë të parë në Kosovën e pavarur në nivel nacional dhe për arritjen e standardit ndërkombëtar. Natyrisht, në kuadër të këtyre sukseseve kemi pasur edhe sfida që për mua janë një mundësi për sukses të ri. Por edhe sulmi racist dhe pro serb i Dick Martyt, ka qenë një goditje për imazhin e Kosovës, për shtetin e Kosovës, për shtetin e Shqipërisë, për gjithë kombin shqiptar. Unë kam besim të plotë se edhe këtë goditje do ta tejkalojmë me sukses, megjithëse me pasoja, sidomos në procesin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës. Por sido që të jetë, në çdo rrethanë ne do të veprojmë në mënyrë unike, si politike kosovare, si shtet i Kosovës, si shoqëri kosovare por edhe si komb shqiptar, sepse është atakuar i gjithë kombi, janë atakuar dy qeveritë, janë atakuar personalitetet më të fuqishme të kombit gjithashtu këndej dhe andej kufirit. Prandaj është një sulm i orkestruar për të ndalur hovin e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike. Por mbi shpifjet dhe trillimin përsëri do të fitojë e vërteta, sic ka fituar e vërteta, siç ka fituar e vërteta edhe në tri investigimet e mëhershme që janë bërë nga Tribunali i Hagës, nga UNMIK-u dhe autoritetet e EULEX-it. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë legale dhe politike që të ballafaqohemi dhe ta tejkalojmë këtë sfidë mund të them të shpifjes dhe trillimit pro serb të Dick Martyt.

Zëri i Amerikës: Përveç mjeteve ligjore që ju i keni paralajmëruar, meqë zoti Marty ka imunitet, cilët janë hapat tjerë që ju mund t’i keni konkretizuar për të tejkaluar këtë situatë?

Hashim Thaçi: Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me gjithë miqtë dhe partnerët tanë për të tejkaluar këtë situatë dhe mund të them se hapat e parë veç janë rezultativë, në kuptimin e prezantimit në opinionin publik, por edhe në komunikimet tona ndërshtetërore edhe me SHBA dhe me vendet e BE-së. Kosova nuk ka asgjë për të fshehur. Ne u besojmë autoriteteve të pavarura të drejtësisë dhe në këtë drejtim ne do të vazhdojmë të punojmë në agjendën tonë, duke mos u ndikuar nga sulmet trilluese dhe të rënda raciste të modelit Gebelsian nga Dick Marty dhe antishqiptarët tjerë.

Zëri i Amerikës. Zoti Kryeministër, a i keni ndjerë personalisht pasojat e këtij raporti në raport me miqtë tuaj?

Hashim Thaçi: Po, të them shumë sinqerisht, ka qenë diçka që nuk ka mundur njeriu ta imagjinojë që dikush diçka të tillë mund të improvizojë në një rrugë krejt inkriminuese, sic ka bërë zoti Marty. Prandaj, them se edhe si qytetar edhe si prind, por edhe si kryeministër, ndjehem tepër i fyer, ne veçanti me sulmet që janë bërë nga më të paimagjinueshmeve prej pasluftës së dytë botërore. Do të thotë, një propagandë raciste me elemente fashizoide nga Dick Marty. Por, në të njëjtën kohë ne jemi ballafaquar me sulme të pareshtura gjatë tërë periudhës së procesit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Prandaj, ne do të vazhdojmë me agjendën tonë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës brenda 15 muajve të ardhshëm, që ne t’i meritojmë dhe që BE-ja të mos vonohet për marrjen e vendimit. Gjatë këtij mandati për të integruar Kosovën në NATO dhe për të afruar integrimin në BE por edhe në OKB. Kështu që suksesi i Kosovës do të jetë i pandalshëm.

Zëri i Amerikës: Ju keni kritikuar edhe faktorët e brendshëm që sipas jush janë pjesë e këtij raporti. A nuk po e shndërroni kësisoj në një çështje të brendshme një temë që vendin e rëndon më shumë në skenën e jashtme politike?

Hashim Thaçi: Unë në fakt nuk kam përmendur as emra e as faktorë të brendshëm. Dick Marty ka një shtojcë të atij raporti, shtojcë kjo e cila me siguri se do të bëhet publike në të ardhmen jo të largët. E ritheksoj: raporti i Dick Martyt, është një raport i përpunuar në Beograd. Është një raport pro serb, është një raport racist, i plotësuar edhe në Moskë dhe i prezantuar nga Dick Marty. Por, edhe shtojcën e Dick Martyt, nuk jam unë ai që mund ta heq, dicka e tillë do të bëhet publike.

Zëri i Amerikës: Nga ju, apo nga z. Marty?

Hashim Thaçi: Do të bëhet publike dhe do të jetë tronditës për gjithë botën për mënyrën inkriminuese të bërjes së këtij raporti nga Dick Marty. Ai do të përgjigjet para drejtësisë në kuptimin legal por edhe drejtësisë së Zotit.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, raporti i zotit Marty ndodhi në një kohë kur Kosova doli nga një palë votime që u cilësuan si proces i lënduar rëndë për shkak të parregullsive. Si do të tejkalojë Kosova këtë çështje, domethënë të zgjedhjeve të lënduara?

Hashim Thaçi: Kosova, shënoi në fakt edhe një sukses jashtëzakonisht të rëndësishëm me organizimin e zgjedhjeve të para të lira në nivel nacional në Kosovën e pavarur. Zgjedhje këto që arritën edhe standardin ndërkombëtarë, të vlerësuara edhe prej SHBA-vë, vendeve të BE-së, baronesha (Catherine) Ashton, gjithashtu edhe nga zoti (Stephan) Fule, por edhe nga organizata që vëzhgoi këto zgjedhje, organizata ndërkombëtare ENEMO. Tash, ne duhet të vazhdojmë në procesin e ardhshëm të tejkalimit të asaj problematike të izoluar në tri komuna më datën 9 janar. Prandaj. Kam besim të plotë se edhe këtë sfidë të izoluar do ta tejkalojmë dhe do të marrim një notë të shkëlqyeshme të vlerësimit nga gjithë komuniteti ndërkombëtar për organizimin e zgjedhjeve të lira në nivel nacional për herë të parë në Kosovën e lirë. Do të fillojmë menjëherë me administrimin e këtyre zgjedhjeve, por edhe me implementimin e rezultatit zgjedhor. Falënderoj shumë qytetarët e Kosovës që dhanë edhe një herë besim për PDK-në, për mua si kryeministër dhe treguan thjeshtë me vullnetin e vet një referendum për qeverinë trevjeçare të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Ju keni paralajmëruar krijimin e shpejtë të një qeverie, por duke përjashtuar disa forca politike. A keni numra të mjaftueshëm për të realizuar këtë qëllim?

Hashim Thaçi: Unë nuk përjashtoj dhe nuk vë vija të kuqe për askënd. Unë kam dy lloj partneritetesh me spektrin politik si fitues i zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Është partneriteti me partitë për koalicionin e ardhshëm, pra për formimin e institucioneve dhe partneriteti me opozitën në procesin shtet ndërtues. Kështu që menjëherë pas datës 9 janar, në javën e parë pas 9 janarit, unë do të konfirmoj edhe zyrtarisht formimin e qeverisë së re, institucioneve të reja. Vendit do t’i jap president, parlament, por edhe në të njëjtën kohë edhe qeveri shumë kredibile.

Zëri i Amerikës: Thatë se jeni për partneritet, por disa janë në partneritet opozitar e disa në atë qeveritar. Cilët janë në opozitë?

Hashim Thaçi: Mendoj se vet populli ka përcaktuar se kush do të jetë në opozitë, por partner qeverisës nuk mund të jenë ata që kanë qëndrim antiamerikan, anti BE dhe anti NATO, por edhe nuk mund të jenë partner njerëzit e mentalitetit të kaluar. Do të punoj me njerëzit e vizionit për të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Dhe përjashtoni çdo mundësi tjetër, ta zëmë të një qeverie teknike, siç është përmendur nga rivali juaj i vjetër LDK?

Hashim Thaci: Unë mendoj se krizën e vet partiake, askush nuk mund ta bartë në skenën politike kosovare. Krizën e vet partiake, askush nuk mund ta bartë në krizë shtetërore apo shoqërore. Mendoj se ata që kërkojnë diç të tillë, duhet të lexojnë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe ta respektojnë para së gjithash vullnetin e qytetarëve të vendit. Kosova nuk është në krizë. Kosova si kurrë ndonjëherë në skenën politike të saj, është shumë e konsoliduar, shumë e fuqizuar dhe me perspektivë të sigurt. Tani është obligim imi, implementimi i rezultatit zgjedhor që jam në rrugë shumë të mbarë dhe i siguroj dhe garantoj qytetarët se do ta realizoj një gjë të tillë. Pra, për ndërtimin e Kosovës evropiane. Por, fokusi im do të jetë për vitin 2011 dhe 2012 edhe ndërtimin e Prishtinës evropiane, sepse nuk mund të mbetet Prishtina në një rrethanë të kaosit dhe prapambetjes në Kosovën që po ecë përpara shpejt në perspektivën evropiane.

Zëri i Amerikës: Me kë do ta bëni këtë. A do të jenë AKR dhe AAK në koalicionin qeveritar?

Hashim Thaçi: Unë do të ndërtoj një qeveri shumë përfshirëse dhe gjithetnike. Një qeveri, që më të vërtetë forcon rendin demokratik në Kosovë, forcon multietnicitetin, punon për zhvillimin ekonomik për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies sociale dhe do të jetë një qeveri e prioriteteve të qendrës së djathtë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG