Lidhje

Thaçi: Nuk ka krizë humanitare në veriun e Kosovës


Thaçi: Nuk ka krizë humanitare në veriun e Kosovës

Thaçi: Nuk ka krizë humanitare në veriun e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha sot se në Kosovë nuk ka krizë humanitare, ndërsa shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të ndihmuar qytetarët në veriun e banuar me shumicë serbe. Ai i bëri këto komente në mbledhjen e qeverisë, pas një takimi me komandantin e forcave paqeruajtëse, gjeneralin gjerman Erhard Buhler , me të cilin është diskutuar mbi një projektmarrëveshje të hartuar nga KFOR-i dhe përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë, për tejkalimin e gjendjes aktuale në veri.

KFOR-i bëri të ditur mbrëmë se projektmarrëveshja parasheh që “në vendkalimet kufitare, sistemi i tashëm i kontrollit të vazhdojë i pandryshuar dhe deri në mesin e muajit shtator 2011 ato do të jenë nën komandën dhe kontrollin e KFOR-it”. Sipas kësaj marrëveshjeje “veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonelata dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimet, mund të kalojnë pas kontrollimit të identitetit dhe atij për armë. Bllokadat rrugore do të hiqen dhe liria e lëvizjes do të rivendoset”.

Por, marrëveshja trepikëshe u cilësua e papranueshme nga qeveria e Kosovës, vetëm pak kohë pas publikimit të saj. Kryeministri Hashim Thaçi, siç njoftoi kabineti i tij, gjatë natës është takuar me komandantin e KFOR-it për të diskutuar këtë situatë dhe siç thuhet, “është konstatuar se nuk ka kthim prapa, se do të vazhdojë kontrolli i plotë vendkalimeve kufitare, se është e domosdoshme të hiqen bllokadat rrugore dhe të krijohen kushtet e sigurisë për të gjithë qytetarët në veri”.

Kryeministri Thaçi tha se edhe sot është takuar me komandantin e KFOR-it dhe siç tha ai, është sqaruar situata e krijuar pas zhvillimeve të mbrëmshme dhe është arritur mirëkuptim për hapat e mëtejshëm.

“Shqetësimi ynë ndërlidhet me formulimet e raportuara për kriza dhe nevoja humanitare. Pikë së pari, në Kosovë nuk ka krizë humanitare. Politikanët nuk janë ata që përcaktojnë a ka krizë humanitare apo jo. Dje në Mitrovicë, të gjitha agjencionet e Kombeve të Bashkuara që merren me çështje humanitare kanë konkluduar që nuk ka asnjë lloj krize humanitare në veri. Më lejoni të them qartë, që ne nuk i kemi braktisur dhe nuk do t’i braktisim qytetarët tanë në veri. Ata janë shtetasit, qytetarët tanë, ne do t’u dalim në ndihmë dhe do të jemi afër tyre”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërkaq, zëvendëskryeministrja e Kosovës Mimoza Kusari Lila, njëherësh ministre e tregtisë dhe industrisë, tha se qeveria është pajtuar që në veri të hyjë një sasi prej 75 tonelatash me ndihma humanitare nga Serbia. “Qeveria e Kosovës do të sigurohet që mallrat që hyjnë në Kosovë për asistencë humanitare ose për ndihme humanitare, të mos përfundojnë në tregti për shitje komerciale”, tha zonja Kusari Lila.

Kryeninistri Thaçi përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut në vendkalimet kufitare, një kërkesë kjo e cila është vënë si kusht për largimin e bllokadave të vendosura nga serbët në rrugët veriore. “Veriu, që deri para 25 korrikut ka qenë vrimë e zezë dhe burim i kontrabandës dhe krimit, tashmë ka hyrë në një etapë tjetër. Atë të rendit dhe ligjit. Ballafaqimi ynë nuk është kundër qytetarëve serbë që jetojnë atje, përkundrazi. Është krijimi i mundësive të barabarta, krijimi i një ambienti ku rregullat i përcakton ligji, e jo kriminelët dhe kontrabandistët. Çfarëdo lloj rrethane e re do të reflektojë këtë realitet të ri dhe kapitull të ri”, tha kryeministri Thaçi.

Shefi i delegacionit te Serbisë në bisedimet me Kosovën Borisllav Stefanovic, ka deklaruar se shpreson që “qeveria në Prishtinë do të kuptojë sa e rëndësishme është që situata të qetësohet dhe të dyja palët t’u kthehen bisedimeve”, ndërsa e ka cilësuar të dëmshëm qëndrimin e qeverisë së Kosovës.

"Pres zgjidhje të kësaj krize të madhe, nëse gjithçka shkon mirë deri në fund", u ka deklaruar medieve serbe Borislav Stefanovic, duke shfaqur shpresën që projektmarrëveshja me KFOR-in, të fillojë të zbatohet në praktikë.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan më 25 korrik një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut, një komunë me shumicë serbe në veri, ndërsa njëri nga vendkalimet u dogj nga protestues serbë.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta, ndërsa bënë thirrje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, të cilat qenë shtyrë për në muajin shtator.

Forcat e KFOR-it u vendosën në vendkalimet kufitare pas trazirave të javës së kaluar duke i shpallur ato zona të kufizuara ushtarake. Që mbrëmë ka filluar operacioni i vendosjes së trupave shtesë të NATO-s që do t’u bashkohen forcave të KFOR-it në veri të Kosovës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG