Lidhje

Thaçi në Uashington, e ardhmja e Kosovës në NATO dhe në BE

  • Zamira Edwards

Thaçi në Uashington, e ardhmja e Kosovës në NATO dhe në BE

Thaçi në Uashington, e ardhmja e Kosovës në NATO dhe në BE

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet për një vizitë këtu në Uashington, ndërkohë që pas dy ditësh pritet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, kryeministri Thaçi pritet të takohet nesër me nën-presidentin amerikan Xho Bajdën, dhe të enjten ai do të takohet me disa anëtarë të Kongresit amerikan.

Gjatë një konference shtypi në Institutin Amerikan të Paqes këtu në Uashinton, kryeministri Thaçi tha se e ardhmja e Kosovës dhe e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është dhe duhet të jetë annëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Kjo aspiratë, tha zoti Thaçi, nuk është vetëm një dëshirë por edhe një domosdoshmëri për paqen dhe qëndrueshmërinë afat-gjatë. Kosova, tha ai, do të jetë shembull i tolerancës dhe një shoqërie shumë-etnike për të gjithë Evropën.

Më pak se 48 orë nga opinioni i pritshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kryeministri i Kosovës shprehu optimizëm se ky opinion do të jetë në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Cilido qoftë ky opinion, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe liria e popullit tim, tha zoti Thaçi, është e përhershme.

Megjithatë, partnerët në Bashkimin Evropian dhe në Uashington, tha kryeministri i Kosovës, mendojnë se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mund të krijojë mundësi të reja, që duhet të shfrytëzohen nga Prishtina dhe Beogradi për të filluar një dialog teknik, që do të shënonte fillimin e një epoke të re mes Kosovës dhe Serbisë. Zoti Thaçi e siguroi audiencën e tij se qeveria e Kosovës është e gatshme për dialog konstruktiv me çdo vend tjetër, përfshirë edhe Serbinë.

Kryeministri i Kosovës e pranoi se një prej fushave më të vështira për Kosovën ka qënë dhe vazhdon të jetë shteti juridik. Kjo, tha ai, nuk vjen thjesht nga fakti se në veri të Kosovës ende funksionojnë strukturat e paligjshme të sigurimit, që financohen nga Serbia, por edhe se rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk janë të kënaqshme.

Me qëllim që të kapërcejmë këtë situatë, tha kryeministri Thaçi, qeveria e Kosovës po bashkëpunon nga afër me EULEX-in dhe mekanizmat ndërkombëtare në Kosovë.

Zoti Thaçi përsëriti se Kosova është një shtet shumë-etnik me kushtetutë dhe ligje që mbrojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, që jetojnë në Kosovë. Fatkeqësisht, tha ai, integrimi i plotë i serbëve, që jetojnë në veri të lumit Ibër, është penguar nga roli destruktiv i Serbisë.

Ai theksoi angazhimin e qeverisë së tij për vazhdimin e integrimit të serbëve në atë rajon, sepse qytetarët që jetojnë aty duan të kenë të njëjtat përgjegjësi dhe të jetojnë në të njëjtën mënyrë si serbët e tjerë, që jetojnë në jug të Ibrit.

XS
SM
MD
LG