Lidhje

Thaçi: Prekja e kufijve të Kosovës hap temën e kufijve në të gjithë rajonin


Thaçi: Prekja e kufijve të Kosovës hap temën e kufijve në të gjithë rajonin

Thaçi: Prekja e kufijve të Kosovës hap temën e kufijve në të gjithë rajonin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sonte se hapja e çështjes së kufijve të Kosovës nënkupton hapje të çështjes së kufijve të tërë rajonit. Ai i bëri këto komente në mbledhjen e qeverisë, pak kohë pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian Robert Cooper, i cili është ndërmjetësues i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Thaçi, tha se zotit Cooper i është paraqitur qëndrimi i qartë i Prishtinës, se nuk ka kthim prapa në gjendjen e “status quos” së para 25 korrikut në vendkalimet kufitare me Serbinë. Ai tha se operacioni për vënien nën kontroll të vendkalimeve ishte ushtrim i të drejtës kushtetuese të Kosovës për kontrollin e kufijve dhe vendosjen e masave tregtare të ndërsjellë me Serbinë.

Ai tha se për Prishtinën janë shumë të qarta vijat e kuqe për bisedimet me Serbinë, që nënkupton respektimin e plotë Kushtetutës, sovranitetit dhe rregullimit të brendshëm të Kosovës që nuk mund të jenë në asnjë rrethanë pjesë e ndonjë dialogu. Ai nënvizoi se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe pretendimi i Serbisë për këtë ndarje kundërshtohet nga shteti i Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtarë...

Prekja e çështjes së kufijve të Kosovës, definitivisht edhe për shtetin e Kosovës, nënkupton hapjen e temës së kufijve në gjithë rajonin. E rajoni ynë dhe çdo shtet në rajon e ka nga një problem që quhet Mitrovicë. Pra, ne jemi për hapje të kufijve, respektim të kufijve dhe në asnjë rrethanë për ndryshim”, tha kryeministri Thaci, duke nënvizuar se për Kosovën, çështja e kufijve është çështje ekzistenciale.

Ndoshta për Serbinë, çështja e pikës 1 dhe 31 por edhe e veriut të Kosovës, është çështje politike dhe elektorale. Por, kemi prezantuar qartë qëndrimin e shtetit të Kosovës edhe në takimin me zotin Cooper, se për Kosovën është çështje ekzistenciale, nacionale dhe e respektimit të plotë të sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

Kryeministri Thaçi, tha se qeveria e tij edhe në takimin me zotin Cooper, ka shprehur përkushtimin për integrimet evropiane, por ajo kërkon qartësi nga Brukseli sa i përket ardhmërisë evropiane të Kosovës.

“Ne duhet t’u besojmë realiteteve dhe jo vetëm fjalëve të thata të perspektivës evropiane. Për Kosovën ka nevojë dhe duhet të ketë agjendë të qartë evropiane. Brukseli duhet të jetë shumë i qartë me shtetin e Kosovës. Në Evropë ka ose nuk ka shtete. Kosova është shtet. Nuk ka gjysmë shtete dhe kjo është shumë e qartë për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”, tha kryeministri Thaçi.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian vendosi të dërgojë në Serbi dhe në Kosovë, të dërguarin e saj Robert Cooper, për të diskutuar me të dyja palët në përpjekje të reja për rifillimin e bisedimeve të cilat qenë shtyrë për në muajin shtator. Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se presin përparim të shpejtë e thelbësor në terren duke nënvizuar se “dhuna nuk do të tolerohet kurrë dhe veprimet e njëanshme të njërës ose tjetrës palë nuk janë të dobishme”.

Operacioni i policisë së Kosovës për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta. Kryeministri Thaçi i bëri thirrje sot EULEX-it që të mbështesë Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit sipas mandatit të tij.

XS
SM
MD
LG