Lidhje

Kryeministri i Kosovës vazhdon vizitën në SHBA


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi vazhdon vizitën në Shtetet e Bashkuara me një sërë takimesh me zyrtarë të rëndësishëm amerikanë, përfshirë edhe nën presidentin Joe Biden. Dje, kryeministri Thaçi mbajti fjalimin kryesor në konferencën me titull, Forumi ekonomik Trans-Atlantik: ndërtimi i urave në mbarë Mesdheun, e organizuar nga Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare, SAIS të Universitetit Johns Hopkins.



Fjalimi i kryeministrit Thaçi në Uashington përkoi me 14 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës së viteve 1998-1999. Zoti Thaçi tha se gjatë 14 vjetëve të fundit, e veçanërisht në 5 vjetët e fundit që prej shpalljes së pavarësisë, Kosova ka bërë një përparim të madh për të krijuar klimën e nevojshme për investime ndërkombëtare. Ai shprehu mirënjohjen e Kosovës për angazhimin amerikan dhe tha se ekonomia e Kosovës është e hapur për amerikanët dhe ndërkombëtarët.

“Kosova është vend i hapur për biznes, dhe ka hapur rrugën për investitorët amerikanë dhe gjithë të tjerët. Qytetarët e Kosovës u janë shumë mirënjohës amerikanëve dhe ekonomia jonë është e hapur për ju. Kosova po ndërton demokraci të fuqishme, një ekonomi të tregut të lirë dhe duam që ju të jeni pjesë e saj”.

Gjatë konferencës, një vemendje e veçantë iu kushtua zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Marrëveshja u siguron serbëve në veriun e Kosovës një shkallë të lartë të autonomisë, ndërsa fillimi i zbatimit të saj në terren është kusht për përparimin e të dyja palëve në proceset e integrimeve evropiane. Kryeministri Thaçi shprehu optimizëm për zbatimin e marrëveshjes dhe ecjen përpara të Kosovës drejt integrimeve evropiane.

“Jam i bindur se kjo është marrëveshja më e mirë e mundshme për momentin në Kosovë, është vendimi më i drejtë i mundshëm për Kosovën dhe Serbine. Është një marrëveshje nga e cila fitojnë të gjithë, jo vetëm Kosova dhe Serbia, por edhe rajoni dhe investimet ndërkombëtare, ato të BE-së, amerikane dhe prania e NATO-s”.

“Kjo marrëveshje ndër të tjera siguron të drejta shtesë dhe gjithë përfshirëse për pjesën veriore të Kosovës me shumicë etnike serbe. Qeveria jonë po bën përpjekje të integrojë serbët etnikë dhe institucionet dhe shoqërinë kosovare. Ne po krijojmë komuna me shumicë serbe, që garantojnë të drejtat politike, ekonomike dhe social-kulturore. Ne duam të sigurojmë se komuniteti serb i Kosovës do të mbrohet, do të gëzojë të drejtat, do të respektohet kultura e tyre, institucionet fetare, përfshirë kishat dhe manastiret”.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, në pjesën veriore të Kosovës do të duhej që brenda këtij viti të mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal që do të organizoheshin dhe mbikëqyreshin nga Misioni i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë. Kryeministri Thaçi vuri në dukje se kjo marrëveshje mbështetet nga shumica në Kosovë, ndërkohë që gëzon mbështetjen edhe të komunitetit ndërkombëtar, por ajo ka edhe kundërshtarët e saj, tha zoti Thaçi.

“Kosova është një histori suksesi të plotë, të investimeve ndërkombëtare, por edhe punës tonë në vend. Tani jemi në një fazë të re, të integrimeve atlantike dhe jam optimist dhe me besim të plotë se edhe kjo fazë do të ecë ngadalë, por e sigurtë dhe do të jetë e realizueshme. Qëllimi dhe vizioni ynë është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe jam i bindur se këtë do ta arrijmë”.

Zoti Thaçi pranoi se integrimet evropiane nuk janë të lehta, por Kosova po bën të gjitha përpjekjet për të përmbushur kërkesat e këtyre integrimeve dhe do të vazhdojë bashkëpunimin e me Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG