Lidhje

Thaçi: Zbatimi i marrëveshjes për vulat doganore të Kosovës fillon më 16 shtator


Thaçi: Zbatimi i marrëveshjes për vulat doganore të Kosovës fillon më 16 shtator

Thaçi: Zbatimi i marrëveshjes për vulat doganore të Kosovës fillon më 16 shtator

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha sot se më 16 shtator do të fillojë zbatimi i marrëveshjes së arritur të premten e kaluar me Serbinë, për njohjen e vulave doganore të Kosovës. Me këtë do të marrë fund edhe vendimi i 20 korrikut për ndalimin e importeve nga Serbia. Njohja e vulave doganore tha ai është fillim i njohjes së Kosovës nga Serbia.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë ai tha se më 16 shtator, në vendkalimet kufitare me Serbinë në veri, do të fillojë funksionimi i doganave të Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka agjendën e vet. Agjendë kjo që është në drejtim të forcimit të shtetit, ndaljes së plotë të kontrabandës. Gjithashtu e theksoj për vendosjen e kontrollit të plotë të kufirit shtetëror në mes Kosovës dhe Serbisë. Doganierët e Kosovës do të jenë edhe në pikat 1 dhe 31 dhe do të jenë udhëheqës të doganës. Gjithashtu edhe policia e Kosovës dhe do të emërohen nga organet kompetente”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Ai tha se zbatimi i marrëveshjes do të paraprihet nga një fushatë informuese për qytetarët në veriun e Kosovës, ndërsa i bëri thirrje edhe Beogradit që të informojë qytetarët e Serbisë për rrethanat e reja në kufijtë me Kosovës, në mënyrë që, siç tha, të shmangen keqkuptimet e panevojshme.

Në veri përfaqësuesit lokal të serbëve kanë kundërshtuar marrëveshjen e arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe kanë paralajmëruar veprime në kundërshtim të përpjekjeve për zbatimin e saj. Gjatë natës së kaluar ata kishin vendosur bllokada në rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë për shkak të siç është thënë, shqetësimit nga ndonjë operacion i mundshëm i autoriteteve të Prishtinës. Ndërkohë, ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, u ka bërë thirrje serbëve në veri që të jenë të bashkuar sepse përpara ndodhen ditë të vështira.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u bëri thirrje qytetarëve serb që të respektojnë vendimet e institucioneve dhe marrëveshjen, duke nënvizuar se Prishtina nuk është në konflikt me qytetarët e saj të përkatësisë kombëtare serbe, por me strukturat që ai i quajti kriminale. “Atje do të vazhdojnë angazhimet e organeve përkatëse të policisë dhe këta njerëz që kanë shkelur ligjin, që janë të involvuar në kontrabandë, krim dhe dhunë tash e 12 vite, do të përballen me drejtësinë kosovare dhe atë ndërkombëtare dhe kjo do të ndodhë”.

Kryeministri Thaçi tha se zbatimi i marrëveshjes, është në funksion të ruajtjes së tërësisë tokësore të Kosovës dhe forcimit të sovranitetit të saj.

Beogradi ka kundërshtuar praninë e doganierët dhe policëve kufitar të Kosovës në vendkalimet në veri, duke kërkuar sërish kthimin në gjendjen e mëhershme në atë pjesë të Kosovës, një kërkesë kjo e cila është hedhur sot sërish poshtë nga kryeministri Thaçi, sipas të cilit me një qëndrim të tillë pajtohen edhe autoritetet më të larta ndërkombëtare.

Më 25 korrik qeveria e Kosovës filloi një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe në funksion të zbatimit të vendimit për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës. Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut një komunë me shumicë serbe ne veri. Dhuna bëri që kontrollin në vendkalimet kufitare në veri ta marrin përsipër forcat e NATO-s të cilat i shpallën ato vendkalime si zona të kufizuara ushtarake.

XS
SM
MD
LG