Lidhje

Thaçi: Zgjedhjet serbe në Kosovë – nxitje e konfliktit të hapur


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se paralajmërimi i Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në Kosovë është nxitje e konfliktit të hapur me pasoja për gjithë rajonin. Në mbledhjen e sotme të qeverisë ai tha se ky synim paraqet një agresion të Serbisë dhe Kosova do t’i kundërvihet me të gjitha mjetet kushtetuese e ligjore. Dje, autoritetet serbe shpallën gjashtë majin ditë të zgjedhjeve parlamentare e lokale me synimin që ato të mbahen edhe në disa komuna të Kosovës. Kryeministri Thaçi tha se një veprim i tillë mund të ketë pasoja edhe për rajonin.

“Serbia definitivisht me këtë pretendim është duke provokuar një konflikt të hapur me shtetin e Kosovës që mund të ketë pasoja për të gjithë rajonin dhe të gjitha angazhimet ndërkombëtare në rajon edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe të NATO-s edhe të Bashkimit Evropian. Në përgjigje të këtij pretendimi ne do të përdorëm gjithë forcën tonë kushtetuese dhe ligjore”, tha ai.

Kryeministri Thaçi tha se qeveria e tij respekton parimin e dyshtetësisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, por të vetmet zgjedhje lokale në territorin e Kosovës do të organizohen nga institucionet e saj dhe nga asnjë vend fqinjë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson këtë pretendim të Serbisë si një përpjekje për agresion ndaj Kosovës, një pretendim për sjellje anti-evropiane në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, që bien ndesh me të gjitha vlerat evropiane dhe euro-atlantike, që bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë”, tha kryeministri Thaçi.

Ai tha se ky synim i Serbisë është në kundërshtim edhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Të tillë këtë synim e kanë vlerësuar edhe diplomatët ndërkombëtarë të cilët tërheqin vërejtjen se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në territorin e Kosovës, do të ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Autoritetet serbe thanë se qeveria e Serbisë në bashkëpunim me UNMIK-un do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë, meqë siç thuhet, Serbia është e detyruar të respektojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Zyrtarë të UNMIK-ut nuk kanë komentuar këto qëndrime, meqë siç thanë nuk janë kontaktuar nga autoritetet e Serbisë për të diskutuar këtë çështje.

Që nga përfundimi i luftës, Serbia ka organizuar zgjedhjet e saj edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë dhe ndonëse ato nuk janë mbështetur as nuk janë penguar nga autoritetet vendase e ndërkombëtare. Por, kësaj radhe thuhet se Serbia duhet të sillet në pajtim me statusin e saj si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ajo mori këtë status në fillim të muajit mars pas një marrëveshjeje me Kosovën në të cilën janë përfshirë Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe opinioni i Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë mbi deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG