Lidhje

Tajlandë, junta ushtarake shpërndan senatin


Shefi i ushtrisë në Tajlandë mori të gjitha kompetencat ligjore të vendit, vetëm dy ditë pasi udhëhoqi një grusht shteti. Ai po ashtu shpëbëri Senatin e Mbretërisë dhe më parë ishte vetëshpallur kryeministër i vendit. Gjenerali Prayuth Chan-och tha se këto veprime ishin të nevojshme për kthimin e rendit dhe për të nxitur reformat politike në vend. Më pare ai tha se kryeministrja e rrëzuar nga pushteti, Yingluck Shinawatra dhe dhjetra të tjerë po mbahen në një vend të sigurt dhe mund të mbahen nën arrest deri në një javë, për t'u dhënë atyre kohë për të menduar mbi këtë çështje. Vendndodhja e tyre ende nuk është e qartë dy ditë pasi ushtria mori pushtetin përmes një grusht shteti.

Grushti i shtetit i ka shkaktuar reagime dhe kritika nga komunitetit ndërkombëtar. Pentagoni njoftoi sot po anulon stërvitjet e vazhdueshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Tajlandën dhe vizitat e planifikuara të zyrtarëve të ushtrisë amerikane dhe tajlandeze. Zëdhënësi i Pentagonit, Adrmirali John Kirby tha se ligjet amerikane dhe "parimet demokratike" bëjnë që Shtetet e Bashkuara të rishqyrtojnë ndihmën e saj ushtarake dhe angazhimet ndaj Tajlandës.


"Ne do të donim t’i thërrisnim ata për të sqaruar situatën, për të kërkuar mendimin e tyre për të dhe për t’u kërkuar atyre që të gjejnë një kompromis dhe të justifikojnë veprimet dhe qëndrimet e tyre", thotë zëdhënësi i ushtrisë tajlandeze, Weerachon Sukondhapatipak.

Zëdhënësi ushtrisë tajlandeze thotë se policia do të ndalojë njerëzit, të cilët nuk raportojnë vullnetarisht te udhëheqja ushtarake.

Ish kryeministrja Yingluck Shinawatra, për herë të fundit u pa dje duke ardhur në kompleksin ushtarak me një furgon, për takime me udhëheqësit ushtarakë, të cilët të enjten morën pushtetin përmes një grushti shteti. Më vonë ushtria njoftoi se ajo ishte nën arrest dhe mediat lokale raportuan se stafi po i dërgonte asaj dokumente dhe gjëra personale në një bazë jashtë Bangkokut. Asnjeri prej të ndaluarve nuk ka patur kontakte me jashtë.

Ndërkohë që ushtria po i bën thirrje rivalëve politikë të zgjidhin dallimet mes tyre, njerëzit e pakënaqur me grusht shtetin po demonstrojnë në rrugë.


"Kemi dalur këtu për të shprehur mendimin tonë, por ushtarët po përpiqen të na arrestojnë. Ata po na mbyllin gojën dhe nuk po na lënë të flasim. U thashë atyre që të iknin për të mbrojtur kufijtë tanë, por ata refuzuan. Ata janë manipuluar", thotë një protestues.

Ushtria të enjten mori pushtetin përmes një grusht shteti, pa dhunë, pasi bisedimet dy ditore midis rivalëve politikë nuk zgjidhën ngërçin politik në vend.

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar 3.5 milionë dollarë në ndihma ushtarake për Tajlandën, dhe thonë se po shqyrtojnë pezullimin e 7 milionë dollarëve të tjerë të ndihmave për këtë vend.

Ushtria tajlandeze tashmë i ka ndaluar largimin nga vendi pa leje ish kryeministres Yingluck Shinawatra dhe më shumë se 150 figurave të tjera politike në Tajlandë.
XS
SM
MD
LG