Lidhje

Përgatitjet e fundit për funeralin e z.Thatcher


Përgatitjet për funeralin e ish kryeministres britanike Margaret Thatcher janë në përfundim e sipër. Ceremonia do të zhvillohet në katedralen e Shën Paulit dhe në të janë të ftuar të marrin pjesë rreth 2 mijë personalitete botërore. Zonja Thatcher ka qenë e para dhe e vetmja gura kryeministre në Britani, e cila ka spikatur për drejtimin e saj autoritar. Figura e saj mbetet frymëzuese për gratë të cilat duan të ndjekin shembullin e Margaret Thatcherit për mënyrën se si arriti të jetë në krye të politikës Britanike.

Në maj të vitit 1979 Margaret Thatcher fitoi zgjedhjet duke u shpallur e para grua kryeministre e Britanisë. Ajo drejtoi vendin për 11 vite, gjatë të cilave theu forcën e sindikatave, siguroi fitoren në luftën për ishujt Falklande dhe kreu privatizimin e kompanive shtetërore të shërbimeve komunale në kohë rekord.
Si gruaja e parë kryeministre e Britanisë është e natyrshme të mendohet se figura e saj ishte frymëzuese për një brez vajzash e grash që donin të ndiqnin shembullin e saj.
Por ndonëse numri i grave që janë pjesë e parlamentit britanik është rritur që nga viti 1979, askush nuk ka arritur të ketë suksesin e zonjës Thatcher për t’u zgjedhur sërish në krye të qeverisë britanike.
Amber Rudd është deputete konservatore në parlamentin britanik. Ajo është zgjedhur që nga viti 2010 dhe thotë se Margaret Thatcher ka qenë një frymëzim i madh për të dhe ishte pikërisht ajo që e bëri zonjën Rudd të ndiqte karrierën politike:

“Ajo që është shumë e rëndësishme për gra si unë, që jemi deputete në parlamentin britanik, është se në vitet 1980 ishte kaq e dukshme që gratë kishin një rol qendror në politikë. Është fakt që vetëm katër për qind e parlamentit ishin gra kur Margaret Tharcher ishte kryeministre, por kjo nuk binte në sy, pasi ajo që shihja unë atëherë – si një vajzë e re- ishte kjo grua e pushtetshme e me ndikim e cila drejtonte vendin, dhe për mua si një grua që doja të ndiqja karrierën politike ishte absolutisht e dukshme që kishte një zonë ku gratë mund t’ia dilnin mbanë”.
Por Kevin Maguire, editor i gazetës Daily Mirror, një gazetë popullore me prirje të majta, mendon se ishte politika e saj dhe jo fakti që ishte grua, ajo që e dallonte atë nga burrat politikanë:

“Margaret Thatcher ishte e para dhe e vetmja grua kryeministre në Britani. Por në disa momente thuhet se ajo ishte i vetmi burrë në atë kabinet qeveritar, pasi ajo ishte shumë e dhënë mbas punës së saj. Atë e zgjodhën për të thyer rutinën e burrave në politikë, pra e zgjodhën sepse ishte grua, por mendoj se politikat e saj ishin përherë më të rëndësishme se fakti që ishte grua”.

Marcelle D’Argy Smith ishte editore e revistët popullore për gratë “Cosmopolitan” nga viti 1985 deri në vitin 1995. Revista “Cosmo” ka mbështetur gjithmonë fuqizimin e grave, por ishte cilësia e udhëheqjes së zonjës Thatcher që e dallonte atë nga të tjerat.

“Pavarësisht nëse e pëlqeje apo jo - zonja Thatcher ishte udhëheqëse dhe ne nuk kemi patur një të tillë që nga periudha e saj. Askush nuk i është afruar figurës së saj”.

Por për zonjën D’argy Smith një udhëheqëse femër nuk ishte diçka domosdoshmërisht pozitive, pasi ajo beson se forca e zonjës Thatcher kishte elementë burrëror, çka nuk ishin në përputhje me atë që kërkonin lexueset e revistës së saj.

Amber Rudd, deputetja konservatore e parlamentit britanuk shpreson si politikane se një tjetër grua mund të bëhet sërish kryeministre , por beson se vendi ka nevojë për shtimin e pranisë së grave në poltikë.

“Elementi kryesor për të patur më shumë gra udhëheqëse në politikë në çdo vend perëndimor është që të bëhet e mundur që pjesmarrja e grave në parlamente apo senate duhet të jetë më i madh”.

Margaret Thatcher ishte e bija e një shitësi e cila arriti në krye të politikës britanike. Vizioni i saj ishte për një shoqëri që shpërblen punën dhe vendosmërinë.

Qëndrimi i Margaret Thatcher-it në krye të partisë u ndërpre për shkak të problemeve brenda partisë që e detyruan të largohet.

E quajtura “Zonja e hekurt”, tregoi një aspket brishtësie kur bëri një ikje emocionale nga banesa e kryeministave britanikë me numër 10 në rrugën Downing në Londër.

Baronesha Thatcher vdiq në moshën 87 vjeçare në 8 prill. Më shumë se 2 mijë njerëz janë ftuar në funeralin e saj, mes tyre janë mbretëresha dhe duka i Edinburgut si dhe kryeministri David Cameron.
Ceremonia mortore do të zhvillohet në 17 prill në katedralen e Shën Paulit.



XS
SM
MD
LG