Lidhje

Ushqimet e tepërta për njerëzit në nevojë


Pas përballjes me njoftimet për thatësirat në rritje, mungesat e ushqimit dhe vështirësitë e pothuajse 15 përqind të familjeve amerikane për të vënë ushqim në tryezë, një grup fetar në kryeqytetin e vendit pa bujë po vendos ushqimet e tepërta në tavolinat e njerëzve që kanë nevojë për ushqime. Korrespondentja e Zërit të Amerikës June Soh sjell hollësi.

Çdo të hënë, rreth 150 njerëz mblidhen në parkingun e oragnizatës “Qendra Jeta e Krishterë” në distriktin Prince George të Merilendit. Joan Osvald, familja e së cilës ka jetuar në një strehimore emergjente për të pastrehët që nga prilli, ka ardhur këtu herët.

“Kam hasur shumë vështirësi për të gjetur ndihmë me ushqime. Por, pasi takova pastorin Slye, nuk jam e shqetësuar më për furnizimet me ushqim të familjes sime. Çdo ditë në frigoriferin tim ka ushqim”.

Të gjithë ata që janë në radhë marrin bukë dhe një qese me artikuj ushqimorë që peshon më shumë se pesë kilogramë.

“Çdo gjë është falas. Për këtë arsye kemi krijuar këtë radhë këtu. Të gjthë kanë nevojë për ushqime pavarësisht biografisë apo historisë së tyre”.

Pastori Ben Slye drejton Qendrën Jeta e Krishterë. Ai filloi shpërndarjen javore të ushqimit për banorët me të ardhura të ulëta në periferi të Uashingtonit para një viti e gjysmë. Çdo të hënë, ai merr me qira një kamion frigorifer për të mbledhur fruta dhe perime nga dy kompanitë më të mëdha të shpërndarjes së tyre në bregun lindor, firmat Taylor dhe Coastal Sunbelt Produce.

“Mbledhim rreth 9 mijë kilogramë ushqime në javë. Nganjëherë marrim vetëm 2 mijë kilogramë. Sot ne do të mbledhim 18 deri 23 mijë kilogramë fruta dhe perime të freskëta nga këto dy firma”.

Programi filloi kur zoti Slye mësoi se sasi e madhe frutash dhe perimesh qëndronin në magazina pa u përdorur. James McWhorter është nënpresident i firmës Coastal Sunbelt Produce.

“Ne shesim miliona kuti me fruta dhe perime të freskëta në vit. Nganjëherë kemi teprica pasi nuk arrijmë t’i shesim të gjitha. Standardet e klientëve tanë janë shumë të larta. Pra, nëse produktet qëndrojnë dy ditë në magazinë, nuk mund t’i shesim më, por sigurisht që ne nuk duam që ato të dëmtohen”.

McWhorter thotë se nëse tepricat nuk merren nga njeri, kompania detyrohet t’i hedhë ato në plehra.

“Skenari më i mirë është dërgimi i tyre për pleh organik. Skenari më i keq është hedhja e tyre në plehra”.

Sipas një raporti të Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes së Burimeve, rreth 40 për qind e të gjitha ushqimeve të prodhuara në SHBA hidhet. Bob Keefe është zëdhënës i kësaj organizate.

“Kjo është një humbje e madhe si nga pikëpamja financiare ashtu edhe nga ajo ekologjike. Kemi llogaritur se çdo vit rreth 165 miliardë dollarë ushqime hidhen ose nuk shfrytëzohen”.

Në Qendrën Jeta e Krishterë, rreth 20 organizata lokale jofitimprurëse shpërndajnë ushqimet e tepërta të mbledhura nga zoti Slye.

“Shumë familje jetojnë me pagën e ulët që marrin, prandaj ata nuk mund të blejnë perime të shtrenjta. Kjo është një gjë shumë e mirë për ta”.

Ben Slye thotë se është i kënaqur që mund të japë kontributin e tij për pakësimin e sasisë së ushqimit që hidhet në plehra dhe të ndihmojë njerëzit që kanë nevojë për ushqime.
XS
SM
MD
LG