Lidhje

“The Artist” dhe “The Descendants”, fituesit kryesorë të Globit të Artë

  • Zëri Amerikës

“The Artist” dhe “The Descendants”, fituesit kryesorë të Globit të Artë

“The Artist” dhe “The Descendants”, fituesit kryesorë të Globit të Artë

Emrat më të njohur të Hollivudit u mblodhën dje në Los Anxhelos për Çmimet Globi i Artë që ndahen çdo vit nga Shoqata e Gazetarëve të Huaj të Hollivudit. Dy tituj “The Artist” si dhe “The Descendants” ishin më të lakuarit e mbrëmjes duke marrë edhe numrin më të madh të trofeve. Globi i Artë ndiqet me vëmendje në Hollivud, pasi është një parathënie e çmimeve Oskar, më prestigjozet për industrinë e filmit në Shtetet e Bashkuara.

Filmi “The Artist” kryesoi me 6 çmime Globi i Artë. Realizimi francez, fitues në kategorinë e muzikalit dhe komedisë më të mirë, është pretendent edhe për Çmimin Oskar, megjithëse e vetmja herë kur një film pa zë ka fituar një Oskar, ishte në edicionin e parë të këtyre çmimeve në vitin 1928. Filmi ishte një shans i veçantë për aktorin francez në rolin kryesor Jean Dujardin, i cili ka marrë famë në vendlindjen e tij, Francë, por nuk njihej në Shtetet e Bashkuara. Dujardin u nderua si aktori më i mirë në një komedi apo muzikal.

Jo larg nga numri i çmimeve u rendit edhe filmi “The Descendants” i cili mori Globin e Artë në kategorinë e filmit dramatik më të mirë, ndërkohë që George Clooney u nderua si aktori më i mirë në një komedi. Ky ishte një shkëputje për aktorin e njohur, që përgjithësisht ka zgjedhur personazhe të forta dhe dominuese në interpretimet e mëparshme.

Një fituese tjetër e mbrëmjes ishte Maryl Streep, e cila mori Globin e tetë të Artë për rolin dramatik si kryeministrja britanike Margaret Thaçer:

“Dua të falenderoj gjithë anglezët që më lejuan të futem e të shkel me këmbë historinë e tyre,” tha në komentet e saj aktorja legjendare që është favorite edhe për çmimin Oskar në shkurt.

Michelle Williams fitoi në kategorinë e aktores më të mirë në një muzikal apo komedi, për portretizimin e Marilyn Monroes në filmin “My Week with Marilyn”. Williams e fitoi globin 52 vjet pasi vetë Marilyn Monroe fitoi në të njëjtën kategori për filmin “Some like it Hot”.

Çmimin si regjisori më i mirë e fitoi Martin Scorsese për realizimin e tij dixhital “Hugo” ndërsa për skenarin më të mirë u zgjodh komedia romatike “Midnight in Paris” e autorit Woody Allen.

Globi i Artë për filmin më të mirë në gjuhë të huaj u fitua nga realizimi iranian “A Separation from Iran” i cili konkuroi me realizime nga Kina, Belgjika e Spanja, si dhe filmin “In the Land of Blood and Honey” me regjisore Angelina Jolie që e merr frymëzimin nga konflikti i Bosnjes.

Për shumë shikues, pjesa më tërheqëse e mbrëmjes ishte prezantuesi i spektaklit, komediani britanik Ricky Gervais, i cili edhe mbrëmë nuk i kurseu thumbat për Hollivudin, aktorët dhe vetë domethënien e Globit të Artë.

XS
SM
MD
LG