Lidhje

Dokumentari “The Hornet’s Nest”


Mos harroni. Ky është mesazhi i dhënë nga korrespondenti i luftës Mike Boettcher në dokumentarin e tij prekës The Hornet’s Nest (Foleja e Grenzës). Është në lidhje me një betejë vdekjeprurëse nëntë-ditore mes trupave amerikane dhe talebanëve në një nga terrenet më armiqësore të Afganistanit. Zoti Boettcher, i cili regjistroi pamjet së bashku me djalin e tij, nuk do që njerëzit të harrojnë se çfarë përjetuan ushtarët dhe se pse ata vdiqën. Korespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou ka përgatitur materialin në vazhdim.

Kjo skenë nuk është nga një film Hollivudi. Këta nuk janë aktorë. Ata janë ushtarë të vërtetë duke luftuar në një nga zonat më të rrezikshme të Afganistanit. Korespondenti i luftës Mike Boettcher i filmoi për shumë orë ngjarjet gjatë një misioni të forcave të armatosura që u shndërrua në një betejë nëntë-ditore mes trupave amerikane dhe talebanëve.

“Ajo ishte beteja më e vështirë në luftë që kam parë, dhe jo, nuk besoja se do dilja i gjallë.”

Shumë ushtarë nuk shpëtuan dot.

“Nuk doja që ata të harrohen. Dhe e ndjeva se filmi ishte mënyra më e mirë për ta ruajtur atë moment dhe për të treguar historitë e tyre, në mënyrë që sakrifica e tyre, mundimet e tyre në këtë luftë të mos jenë të panjohura.”

Dokumentari The Hornet’s Nest është edhe për ata ushtarë që shpëtuan.

“Ishte lufta e harruar. Nëntëdhjetë e nëntë për qind e kombit që nuk e ndjen dhimbjen e luftës, nuk do të mund të kuptohet me atë gati 1 për qind që e përjeton luftën – trupat amerikane dhe familjet e tyre.”

Regjisori thotë se shoqëria duhet të bëjë më shumë për t’u kujdesur për veteranët e kthyer nga lufta, të cilët kanë pësuar plagë fizike dhe emocionale.

“Fakti se 22-23 veteranë në ditë po kryejnë vetëvrasje është befasues për mua.”

Zoti Boettcher thotë se kur kthehen nga lufta, shumë burra dhe gra ndjehen të vetmuar, të pavlerësuar, dhe të paaftë për t’i përcjellë edhe të afërmve të tyre ato që kanë përjetuar në luftë.

Ai thotë se filmi i tij ofron një këndvështrim nga afër të fushë-betejës, të eksperiencave dhe traumave që kanë kaluar ushtarët.
XS
SM
MD
LG