Lidhje

Filmi “The Impossible” , kujtesë e cunamit


Tetë vjet pasi Cunami në Oqeanin Indian i mori jetën 230 mijë njerëzve, filmi përshkruan traumën dhe shkatërrimin që shkaktoi stuhia

Tetë vjet pasi Cunami në Oqeanin Indian i mori jetën 230 mijë njerëzve, një film i ri përshkruan traumën dhe shkatërrimin që shkaktoi stuhia. Filmi “The Impossible” bazohet tek një histori e vërtetë, se si vala e cunmait goditi një familje turistësh prej 5 anëtarësh, të cilët kishin shkuar për pushime në Tajlandë. Pamjet grafike i bëjnë vuajtjet dhe humbjet të vështira për t’u parë, por filmi gjithashtu nxjerr në pah se pasi valët u tërhoqën, njerëzit u angazhuan për të ndihmuar njëri tjetrin.

Realizimi kinematografik nga regjisori Juan Antonio i valëve gjigande, që shkatërruan dhe morën me vete gjithshka rrugës, nuk është aspak zbavitës. Ai të kujton atë moment të tmerrshëm në vitin 2004, një ditë pas Krishtlindjes, kur Cunami në Oqeanin Indian i mori jetën qindra mijëra viktimave të pafajshme.

Filmi përqëndohet tek historia e vërtetë e një familjeje të pasur prej 5 anëtarësh, të cilët u përballën papritur me zemërimin e natyrës. Nënën, Marien, dhe djalin e madh Lucas, stuhia i ndau nga pjesa tjetër e familjes.

Maria u plagos rëndë, por ajo mundi të mbijetojë, falë ndihmës së disa personave të panjohur, si dhe të djalit të saj, Lucas. Ndërkohë, Henry, babai dhe dy djemtë më të vegjël, u vunë në kërkim të të dashurve të tyre. Interpretimi emocionues nga Naomi Watts dhe Ewan McGregor, në rolin e prindërve të traumatizuar, si dhe aktori Tom Holland që interpreton Lukan dhe ecejaket tij gjithë shqetësim krijojnë një lidhje mes spektatorit dhe viktimave.

Juan Bayona me ekipin realizues e rikrijuan ngjarjen përmes efekteve speciale, duke i shfaqur skenat e shkatërrimit nga perspektiva e viktimave. Filmi evokon kaosin në spitalet e ngritura për viktimat, kërkimin e dëshpëruar të njerëzve për familjarët dhe vdekjen. Por na sjell gjithashtu në mendje mirësinë e madhe që tregojnë njerëzit në raste krizash:

" Unë besoj se realizimi i këtij filmi ishte një experiencë e veçantë. Fundin e lashë qëllimisht të hapur, që publiku të largohet nga kinemaja me një ndjenjë që i bën të mendojnë,"- thotë regjisori.

Pavarësisht se sa mirë është realizuar, një film nuk mund të përsërisë me përmasa reale dhimbjen dhe dëshpërimin e njerëzve që humbin të dashurit e tyre.

8 vjet më pas, Murizal Hamzah, një gazetar i cili jetonte në atë kohë në Banda Aceh, e kujton atë ditë. Ai vazhdon të ndjejë dhimbje të thellë për humbjen e motrës së tij:

"Mesatarisht, shumica e njerëzve në Banda Aceh kanë humbur të pëktën një pjesëtar të familjes gjatë fatkeqësisë… Kur cunami goditi shtëpinë e time, unë u ndava prej motrës… Unë shkova në një shtëpi bosh dhe ajo vrapoi në drejtimin tjetër me një të njohur… Humba gjithashtu disa kushërinj që jetonin në një fshat pranë,"- thotë ai.

Shumë persona e kanë shprehur kritika për faktin se në qendër të filmit është vënë historia e një familjeje të pasur evropiane, ndërkohë që humbën jetën qindra mijëra aziatikë. Por, në fakt, duke sjellë historinë e kësaj familjeje që arrin t’i mbijetojë cunamit, regjisori Bayona duket sikur ndez një dritë në mes të errësirës, duke lënë një memorial për të gjithë njerëzit e zhdukur...



XS
SM
MD
LG