Lidhje

Shoqatë në ndihmë të vajzave adoleshente


Shpesh kemi dëgjuar brezin më të moshuar të shprehet se rinia e sotme e ka më të lehtë se ç’e kishin ata. Por në realitet nuk është tamam ashtu. Të rinjtë e sotëm, sidomos vajzat, ballafaqohen me një numër problemesh: ngacmime nga moshatarët, stresi, droga, dhuna, depresioni dhe shtatzania në moshë adoleshente. Një program në Nju Jork po ndihmon vajzat nga mosha 13-19 vjeç të përballen me këto sfida. ​

Felicia Gibson Jaycox e përdor shpesh termin “fuqizimi i adoleshentëve”. Ajo është presidente e shoqatës “The Power of You Teens” – Fuqia e Adoleshentëve, një organizatë me bazë në Harlem të Nju Jorkut, e cila punon me 40 vajza të reja, disa nga familje imigrante. Objektivi i saj është të krijojë një sistem mbështetjeje për t’i nxitur drejt suksesit në jetë dhe karrierë.

17-vjeçarja Alexandra Christopher, nxënëse cilësore në shkollë të mesme, nuk i kishte rënë kurrë pianos, deri kur organizata e regjistroi në mësime muzike. Po ashtu, ata e prezantuan me biznesmenen Shauna Graham, e cila e këshillon Alexandran:

“Kam një ëndërr të madhe, disi të largët, por gjithsesi të realizueshme, që kur të rritem të shëtis botën duke dhënë koncerte si pianiste”.

“Dua që ajo të nxjerrë në pah individualitetin e saj, tiparet unike që ka, të forcojë besimin tek vetja dhe ato që do të arrijë”, thotë sipërmarrësja Shauna Graham.

Kaylah McMillan do të hapë një ëmbëltore. Ajo thotë se shoqata e ka ndihmuar të përballojë problemet që has një 15 vjeçare, si ngacmimet apo xhelozinë.

“Në shkollë ka shumë njerëz që thonë gjëra jo të mira për mua, pasi kanë xhelozi sepse e dinë se unë po ec mirë. Por në shoqatën “The Power of You Teens” askush nuk përpiqet të më ofendojë”.

Presidentja Jaycox e mban afër Kaylan. Ajo thotë se adoleshentet kanë vështirësi të shumta.

“Ata duhet të përballojnë stresin, ngacmimet, rrezikun nga droga, shtatzanitë në moshë të re dhe problemet me vetëbesimin. Mendojmë se çdo vajzë ka nevojë për një përkrahës që e ndihmon të forcojë besimin dhe vullnetin për të mos u tërhequr”.

Një pjesë e suksesit vjen nga kontaktet që kanë vajzat me biznesmene të suksesshme. Andrea Reyes dhe motra e saj kanë jetuar dhe punuar në Ugandë. Zonja Reyes thotë se jeta në Ugandë i ka dhënë formë botëkuptimit të saj:

“Meqë nuk kanë shumë zotërime, ugandasit i përdorin gjërat që kanë deri kur shkatërrohen plotësisht. Për shembull një bluzë e veshin deri kur griset, pastaj e bëjnë lidhëse për flokët apo rreckë për të larë dyshemenë. Nga kjo mësova se mund të nxjerrësh shumë nga gjërat që ke”.

Presidentja e shoqatës Felicia Gibson Jaycox thotë se dëshiron që vajzat të bëhen forcë ndryshimi në të ardhmen, duke krijuar një armatë udhëheqësesh të talentuara që japin kontribut për komunitetet e tyre dhe mbarë botën.

XS
SM
MD
LG