Lidhje

Filmi "Third Person"


Liam Neeson

Liam Neeson

Regjisori Paul Haggis është i njohur për gërshetimin e personazheve nga të gjitha sferat e jetës në një histori që përshkohet nga humbja, dashuria dhe konflikti. Filmi i tij dramatik "Crash", që fitoi Çmimin Oskar në vitin 2004, është ndërtuar mbi idenë se jetët e njerëzve përplasen dhe lidhen me njëra-tjetrës brenda një rrjete rastësish. Në filmin e tij të fundit, Third Person, Veta e Tretë, Haggis flet për historinë e çuditshme se si tre çifte të ndryshme, jeta e të cilave karakterizohet nga dhimbja dhe humbja, më në fund arrijnë të bashkohen. Penelope Poulou e Zërit të Amerikës bisedoi me regjisorin Paul Haggis për procesin krijues, i cili qëndron pas filmit të tij.

Filmi dramatik i regjisorit Paul Haggis, Third Person, flet për një shkrimtar, fitues i çmimit Pulitzer, i cili mund të jetojë vetëm përmes jetës së të tjerëve. Diku në Paris ai shkruan një tregim për çifte në pjesë të ndryshme të botës të cilat përballen me çështje të tilla si besimi, tradhtia dhe humbja. Scott dhe Theresa takohen në një kafene në Itali. Ai është një biznesmen amerikan i ndarë nga gruaja e tij, që ka një ndjenjë faji, sepse e ka lënë vajzën e tij të mbytet, pasi nuk po i kushtonte vemendje.

Theresa, një rome, përpiqet të gjejë vajzën e saj të rrëmbyer. Ndërkohë, diku në New York, një grua e re lufton në gjyq për kujdestarinë e djalit të saj, pasi i ka rrezikuar atij jetën.Ish-burri i saj është i vendosur që të mos e lejojë atë kurrë ta shohë djalin përsëri.

Duket se autori, Michael, që ka krijuar këto personazhe, përballet vetë me probleme të tilla, sepse edhe ai ashtu si Scotti, e ka lënë fëmijën të mbytet për shkak të mosvemendjes.

Paul Haggis – skenarist dhe regjisor i filmit Third Person, thotë se këto personazhe lidhen edhe me jetën e tij personale.

"Kjo është plotësisht e vërtetë, vetëm se asgjë e tillë nuk ka ndodhur në realitet. Por unë i kam marrë motivet nga ato pjesë të bukura që kam pasur në jetën time, nga momente romantike, dhe i kam vënë në jetën e dikujt tjetër, duke i përjetuar vetë përsëri. "

Haggis na paraqet në fakt dilëm e çdo regjisori – pra të jetosh jetën e një tjetri.

"Shpesh gëzimi i të shkruarit është se autori i lejon personazhet të shkojnë në vende që e befasojnë. Në vende që ndoshta ti nuk ke qejf t'i shikosh."

Third Person është një film meditues që, siç thotë regjisori, varet nga interpretimi i shikuesit.

"Shikuesit duan të dinë se cila është domethënia e filmit. Por unë nuk mendoj se qëllimi i filmave është ky. Qëllimi është ta sfidojnë shikuesin, ta bëjnë atë të pyesë veten."

Dhe, megjithëse filmi nuk i jep një drejtim të qartë audiencës, ai përmban plot emocione dhe të lë plot dilema.

XS
SM
MD
LG