Lidhje

Thirret në seancë dëgjimore drejtori i SHISH

  • Armand Mero

Në Shqipëri drejtori i Shërbimeve sekrete Visho Ajazi pritet të paraqitet ditën e mërkurë në një seancë dëgjimore në komisionin e Sigurisë. Prania e tij ishte planifikuar pas një kërkesë te opozitës për të dhënë shpjegime rreth kritikave të ministrisë së Brendshme për mungesë informacioni lidhur me serinë e atentateve me bomba. Por me kërkesë të deputetëve të shumicës ai do të duhet të japë shpjegime edhe lidhur me një dokument të publikuar në media, një urdhër për hetime ndaj drejtuesve të lartë të policisë në të gjitha qarqet e vendit
Kreu i shërbimeve sekrete shqiptare pritet të ketë një seancë të gjatë ditën e mërkurë ku përvec veprimtarisë për vitin e shkuar atij i është kërkuar të japë informacione edhe për cështje specifike. Pak javë më parë, institucioni i drejtuar nga zoti Visho Ajazi u kritikua publikisht nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri se nuk kishte ofruar asnjë informacion për serinë e shpërthimeve dhe atentateve me bomba të regjistruara në zona të ndryshme të vendit, por që kanë vazhduar edhe ditët e fundit.
Kërkesa për t’ju përgjigjur këtyre kritikave është paraqitur nga deputetët e opozitës. Ndërkohë që kërkesës së tyre ju bashkangjit edhe ajo e një deputeti socialist lidhur me emërimet e bëra në shërbimet sekrete, apo edhe cështja e zhurmshme e ditëve të fundit, ajo e një urdhëri për agjentët në terren për të mbledhur informacion mbi implikimet e mundshme të drejtuesve të lartë të policisë në nivel qarku, në aktivitete të ndryshme kriminale. Urdhëri u bë publik dy ditë më parë nga televizioni Top Channel.
Kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho paralajmëroi masa drastike nëse vërtetohet se janë kryer përgjime në kundërshtim me ligjin: “Personat që kanë urdhërua përgjime të paligjshme do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale”.
Ndërkohë po sot burime nga ministria e Brendshme konfirmuan se ministri Saimir Tahiri i ka dërguar një letër drejtorit të Shërbimeve sekrete duke i kërkuar konfirmim zyrtar për ekzistencën ose jo të urdhërit të publikuar në media, dhe dhënien e informacionit të grumbulluar në rast të implikimeve të mundshme të drejtuesve të policisë.
Zoti Ajazi u emërua në krye të shërbimeve sekrete në gusht të vitit 2012. Emerimi i tij ishte një ndër dekretet e para që firmosi presidenti Bujar Nishani. Agazhimi i zotit Ajazi edhe në nivele drejtuese të shërbimeve sekrete deri nga mesi i viteve ’90 shkaktoi shqetësim te socialistët, në atë kohë në opozitë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG