Lidhje

Thirrje për luftimin e piraterisë në internet

  • Michael Bowman

Thirrje për luftimin e piraterisë në internet

Thirrje për luftimin e piraterisë në internet

Autorët dhe tregtarët amerikanë po i bëjnë thirrje Kongresit të shtojnë mbrojtjen e pronësisë intelektuale në internet. Ata ankohen për humbje të mëdha nga vjedhjet dhe mashtrimet – shumica e tyre të kryera jashtë Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i , Majkëll Bouman, njofton nga Kongresi amerikan.

Shkrimtari amerikan Skot Tërou ka botuar disa romane që trajtojnë punën e institucioneve të drejtësisë. Ai dëshmoi para Kongresit javën e kaluar në lidhje me vjedhjen në internet të veprës së tij të fundit, me titull I pafajshëm.

“Brenda një ose dy javësh pas daljes së librit në shitje, miqtë më informuan se ka pasur versione pirate të librit tim në internet që ofroheshin me çmim shumë më të ulët nga shitësit legjitimë”.

Para Komisionit të Senatit për çështjet juridike dëshmoi edhe kreu i kompanisë amerikane “Rosetta Stone”, e cila prodhon materiale për mësimin e gjuhëve të huaja dhe i shet ato përmes internetit. Tom Adams tha se një kërkim në Google për Rosetta Stone rezulton në dhjetëra faqe të internetit që imitojnë prodhimet e kompanisë dhe shesin versione pirate ose të fabrikuara të materialeve të saj.

“Asnjë prej tyre nuk është faqe e ligjshme e kompanisë Rosetta Stone, edhe pse ato duken shumë të ngjashme. Qëllimi i të gjitha këtyre faqeve është që të mashtrojnë konsumatorin amerikan”.

Zoti Adams tha se Rosetta Stone rregullisht merr telefonata nga konsumatorët e zemëruar, të cilët ankohen për prodhimet me të meta që padashur i kanë blerë nga falsifikuesit dhe piratët e internetit.
Kryetari i Komisionit Juridik të Senatit Patrik Lehi tha se vjedhja e pronës intelektuale në internet është e përhapur dhe e kushtueshme.

“Pirateria me materiale të mbrojtura dhe shitja e mallrave të falsifikuara, sipas njoftimeve, i kushtojnë ekonomisë amerikane miliarda dollarë në vit dhe mbyllin mijëra vende pune. Interneti duhet të jetë i lirë dhe i hapur, por jo të veprojë në shkelje të ligjit”.

Luftimi i piraterisë në internet është i vështirë, sepse faqet e falsifikuara të internetit janë jashtë vendit, si në Rusi dhe Kinë. Por Senator Lehi mbështet një projektligj që do t’i mundësonte Departamentit të Drejtësisë të marrë masa kundër këtij fenomeni.

Projekt-ligji për Luftimin e Shkeljes dhe Falsifikimit në Internet u miratua vitin e kaluar njëzëri nga Komisioni Juridik, por nuk është paraqitur për shqyrtim në Senat. Senatori Lehi thotë se ai shpreson që kjo të bëhet këtë vit.

Përpjekjen po e mbështet edhe kompania me seli në Amerikë Go Daddy, që ofron regjistrim të adresave dhe hapësirë për faqe elektronike. Go Daddy kontrollon klientët dhe si rezultat pengon piraterinë.

Por jo të gjithë janë të kënaqur me legjislacionin e propozuar. Një përfaqësues nga kompania amerikane e shërbimeve të internetit Verizon ka paralajmëruar komisionin e senatit se projektligji mund t’i fusë kompanitë amerikane në konteste jashtë vendit me subjekte të huaja. Këtë shqetësim e shprehu edhe Denizë Ji, avokate e kompanisë Visa, e cila mundëson kryerjen e pagesave në mbarë botën.

“Ne si kompani nuk jemi në gjendje të identifikojmë materialet e falsifikuara apo ato që shkelin të drejtën e autorit. Pronarët e protokoleve të internetit kanë mundësi të na njoftojnë për raste shkeljeje, por rrallëherë e bëjnë këtë. Kur nuk dihet se ç’është e ligjshme, ne jemi të autorizuar të vendosim vetë”.

Senatori Ron Uajdën nga Oregoni shqetësohet se projektligji vendos barrë të rëndë dhe masa të ashpra që do të pengonin rolin e internetit si motor i rritjes ekonomike dhe vendeve të punës.

“Mbajtja e hapur e rrjetit, në shtëpi dhe jashtë shtetit, është e një rëndësie të madhe për ekonominë amerikane, sepse interneti është mënyra kryesore për popullsinë e botës për të komunikuar dhe për të bërë tregti”.

Por viktimat e piraterisë në internet paralajmërojnë për një të ardhme, në të cilën nuk do të botohen libra dhe bizneset në rrjet do të pushojnë së qeni të dobishme, nëse nuk ndërmerren masa të ashpra. Debati mbi problemin dhe zgjidhjet e propozuara ka të ngjarë të intensifikohet në Kongres gjatë muajve të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG