Lidhje

Thirrje për zhbllokimin e menjëhershëm të pasurive të ngrira të Libisë

  • Zëri Amerikës

Thirrje për zhbllokimin e menjëhershëm të pasurive të ngrira të Libisë

Thirrje për zhbllokimin e menjëhershëm të pasurive të ngrira të Libisë

Në Libi, kreu i qeverisë rebele përsëriti thirrjen për zhbllokimin e menjëhershëm të pasurive të ngrira të vendit, duke thënë se qeveria mund të përballet me një “krizë legjitimiteti” në qoftë se nuk plotësohen kërkesat e qytetarëve. Kreu i Këshillit Kombëtar Kalimtar, Mahmud Xhibril i ka bërë thirrje edhe Bashkimit Afrikan që t’i njohë ata si përfaqësues të ligjshëm të popullit të Libisë.

Zoti Mahmud Xhibril tha se opozita ka nevojë për burime financiare për të paguar rrogat e shtetit dhe për të mbajtur shërbimet në Libi, përfshirë zonat që ende kontrollohen nga forcat besnike të Gadafit.

“Legjitimiteti i këshillit duhet të ndërtohet në bazë të aftësive të tij për të ofruar shërbime për njerëzit dhe aftësive për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Nëse kjo nuk ndodh, do të ketë vështirësi dhe një krizë legjitimiteti”, u tha gazetarëve zoti Xhibril në një konferencë të përbashkët shtypi me Ministrin e Jashtëm turk Ahmet Dautogllu në Stamboll.

Mahmud Xhibril mbërriti në Turqi për të marrë pjesë në një takim të të ashtuquajturit “Grup i Kontaktit”, i përbërë nga rreth 30 vende, në mbështetje të përpjekjeve për stabilizimin e Libisë.

Ministri i jashtëm turk mbështeti thirrjet për njohje ndërkombëtare të Libisë.

“Ngritja e flamurit të ri, njohja ndërkombëtare dhe mbështetja financiare janë tre shtyllat për një Libi sovrane dhe ato duhet të zbatohen”.

Shtetet e Bashkuara dhe Afrika e Jugut kanë arritur një marrëveshje për të zhbllokuar 1,5 miliardë dollarë pasuri libiane të ngrira në bankat amerikane të cilat Shtetet e Bashkuara kanë në plan t’i japin për të ndihmuar rebelët.

Afrika e Jugut nuk e ka njohur qeverinë rebele. As Bashkimi Afrikan dhe as Kombet e Bashkuara nuk e kanë njohur Këshillin Kalimtar. Zoti Xhibril i bëri thirrje Bashkimit Afrikan ta njohin qeverinë rebele si përfaqësuese legjitime të popullit të Libisë dhe tha se përfaqësuesi i saj do të zerë vendin në Kombet e Bashkuara.

“Ne kemi shpresë të madhe ... Libia e re edhe një herë do të zërë vendin në Kombet e Bashkuara, ashtu si më parë”, tha zoti Xhibril.

Opozita libiane thotë se ka nevojë urgjente për të paktën 5 miliardë dollarë nga pasuritë e ngrira që vlerësohen në rreth 110 miliardë. Disa vende evropiane gjithashtu kanë kërkuar zhbllokimin e fondeve.

XS
SM
MD
LG