Lidhje

Këtë javë në Uashington


Presidenti Barak Obama do të kalojë pjesën më të madhe të kësaj jave në Lindjen e Mesme, ndërkohë që Kongresi i ndarë në vija partiake po përpiqet të miratojë buxhetin e qeverisë federale për të shmagur një kërcënim tjetër për mbylljen e qeverisë. Mandati për financimin e qeverisë federale skadon në më pak se dy javë:

Gjatë ditëve të ardhshme, Senati amerikan pritet të miratojë një projekt-ligj mbi shpenzimet për pjesën tjetër të vitit aktual fiskal. Shpenzimet e përgjithshme do të reduktohen në nivelin që caktojnë shkurtimet automatike buxhetore. Pasi të sheshohen mospajtimet mes Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, të dyja Dhomat do të votojnë për një projekt-ligj të përbashkët për fondet e qeverisë deri në shtator.

Por situata afat-gjatë fiskale e Amerikës mbetet e paqartë. Megjithëse Presidenti shkoi tri herë në Kongres javën e kaluar, nuk u arrit shumë përparim për të zbutur qëndrimet partiake lidhur me mënyrat më të mira për të reduktuar deficitin në të ardhmen.

Një projekt-buxhet i demokratëve ndërthur shkurtime buxhetore me rritje taksash. Senatorja Patty Murray:

“Ky buxhet i shërben shtimit të vendeve të punës dhe rritjes ekonomike”.

Kreu republikan i Senat, Mitch McConnell nuk e sheh ashtu:

“Senatorët republikanë e kundërshtojnë këtë manifest majtist, që përpiqet të paraqitet si buxhet i përgjegjshëm”.

Projekt-buxheti republikan mbështetet vetëm tek shkurtimi i shpenzimeve për të përmirësuar situatën fiskale të Amerikës. Ligjvënësi Paul Ryan:

“Plani ynë e lejon Uashingtonin të shpenzojë vetëm ato fonde që mbledh nga taksat. Kjo është metoda që ndjekin familjet me shpenzimet e tyre, në kohë begatie dhe vështirësish. Qeveria duhet të bëjë të njëjtën gjë”.

Buxheti republikan është një trillim i fantazisë, shprehet senatori demokrat Charles Schumer:

“Ky dokument është i mbushur me truke mashtruese, supozime të ekzagjeruara dhe arithmetikë të gabuar”.

Ndërkaq, Senati do të analizojë së shpejti ndryshime legjislative për të penguar dhunën me armë zjarri në Shtetet e Bashkuara. Javën e kaluar, Komisioni për Gjyqësorin miratoi projekt-ligje që forcojnë rregulloret për regjistrimin e armëve dhe ndalojnë armë sulmi të ngjashme me armët ushtarake. Senatori republikan John Conyn paralajmëron se do të ketë pasoja të paparashikuara:

“Po analizojmë një projekt-ligj që vë në rrezik të drejtat e shtetasve për vetëmbrojtje”.

Nuk është e vërtetë shprehet Senatorja demokrate Dianne Feinstein:

“Askush nuk më ka sjellë dëshmi që tregojnë se një person ka shanse më të mira vetë-mbrojtjeje me një armë të stilit ushtarak me karikator të madh, se me një armë të thjeshtë zjarri”.

Anketat tregojnë se është rritur mbështetja në publik për të forcuar ligjet për kontrollin e armëve, pas masakrës së dhjetorit në një shkollë fillore në Konektikat.
XS
SM
MD
LG