Lidhje

Këtë javë në Uashington


Këtë javë Kongresi ka shansin e fundit për të miratuar masa në përgjigje të fluksit të të miturve imigrantë që vijnë nga Amerika Qendrore në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti Michael Bowman njofton se po diskutohet sa do të jetë shuma që do të miratojë Kongresi për të strehuar dhe procesuar këta të mitur dhe nëse, në bazë të një ligji të vitit 2008, ata kanë të drejtën për një seancë gjyqësore:

Ndërkohë që vazhdon kaosi në kufirin ShBA-Meksikë dhe po zhvillohen protesta në pjesë të ndryshme të vendit, një Kongres i ndarë në vija politike po diskuton se çfarë masash mund të marrë. Republikanët thonë se një pjesë e fondeve që ka kërkuar Presidenti Obama nevojiten për t’iu përgjigjur krizës, por do të miratohen vetëm nëse shoqërohen me reforma ligjore. Senatori John Cornyn:

“Duhet të miratojmë ligje për imigracion për të mbrojtur këta fëmijë dhe të gjithë ne. Kjo nuk nënkupton se kushdo, në çfarëdo rrethanash, ka të drejtën të vijë për të jetuar në Shtetet e Bashkuara. Kjo thjesht do të ishte ofertë e hapur për kaos”.

Senatori Cornyn është bashkautor i një projekt-ligji që do të kufizonte aftësinë e imigrantëve nga Amerika Qendrore për të paraqitur peticion për status refugjati dhe do të përshpejtonte deportimin e tyre në vendet përkatëse. Demokratët shqetësohen se ndryshime të tilla do të ndëshkonin azil-kërkuesit dhe kërkesat e tyre legjitime. Udhëheqësja e pakicës demokrate Nancy Pelosi:

“Ky projekt-ligj nuk prek vetëm Amerikën Qendrore. Ai prek qëndrimin e Amerikës ndaj refugjatëve dhe azil-kërkuesve në të gjithë botën. A duam të heqim dorë nga qëndrimi ynë dhe t’i themi botës: Merrini ju? Apo duam ta diskutojmë më parë?”

Presidenti Obama i ka bërë thirre Kongresit të veprojë:

"Shpresoj se Kryetari i Dhomës John Boehner dhe republikanët e tjerë nuk do të largohen për pushime në gusht pa bërë më parë diçka për të zgjidhur problemin”.

Kryetari i Dhomës John Boehner thotë se problemi është krijuar pjesërisht nga mesazhe kundërthënëse nga Shtëpia e Bardhë:

“Administrata filloi këtë muaj duke sinjalizuar se ishte e hapur për të ndryshuar ligjin e 2008 për të përshpejtuar procesin e kthimit të fëmijëve në vendet e tyre. Tani presidenti dhe ekipi i tij po thonë diçka tjetër”.

Tre udhëheqës të Amerikës Qendrore vizituan Uashingtonin javën e kaluar duke bërë thirrje për trajtimin human të shtetasve të tyre që janë futur në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Juan Orlando Hernandez nga Hondurasi:

“Fëmijët tanë duhet të marrin trajtimin që u takon si qënie njerëzore të rrezikuara. Ata kanë të drejta që duhet t’u respektohen”.

Duket se dyndja e refugjatëve ka rënë gjatë javëve të fundit. Megjithatë, guvernatori i Teksasit Rick Perry po merr vetë masa duke dërguar trupa të Gardës Kombëtare në vijën kufitare të Teksasit me Meksikën.

XS
SM
MD
LG