Lidhje

Këtë javë në Washington


Lufta politike në Uashington do të qetësohet këtë javë ndërsa Presidenti Barack Obama shkon për vizitë në Meksikë dhe Amerikën Qendrore. Presidenti Obama kishte shpresuar ta shfrytëzonte udhëtimin e tij në Meksikë për të nxitur ligje të reja për kontrollin e armëve, që do të ndalonin kalimin e armëve nga SHBA në duart e karteleve famëkeqe të drogës në Meksikë. Lufta e drogës i ka marrë jetën mijëra njerëzve në Mekiskë gjatë viteve të fundit, por presidenti meksikan Enrique Pena Nieto është zotuar ta vazhdojë atë.

“Ne nuk do heqim dorë nga lufta kundër trafikimit dhe prodhimit të drogës. Qeveria e Meksikës që unë drejtoj, do të vazhdojë të përballet me këto lloj krimesh.”

Reforma e armëve u bllokua në Kongres, por një tjetër çështje me rëndësi të madhe për Meksikën vazhdon të mbetet për t’u shqyrtuar: reforma e imigracionit. Shumë nga 11 milionë imigrantët pa dokumente në Shtetet e Bashkuara kanë lindur në Meksikë. Riorganzimi i sistemit të imigracionit është një përparësi e Presidentit Obama, siç e bëri ai të qartë në fjalimin e tij të inaugurimit.

“Udhëtimi ynë nuk do të përfundojë pa gjetur një mënyrë më të mirë për të mirëpritur imigrantët, të cilët përpiqen dhe shpresojnë së tepërmi dhe që e shohin Amerikën si vendin e mundësive të mëdha, derisa studentë të shkëlqyer dhe inxhinierë të zotë të bëhen pjesë e forcës sonë të punës, në vend që të dëbohen nga vendi ynë.”

Reforma e imigracionit do të mirëpritej nga udhëheqësit e Meksikës dhe nga mbështetësit e të drejtave të njeriut.

“Realiteti është se imigrantët jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe ata ndihmojnë vendin përmes punë së tyre të vështirë e të palodhur, por edhe duke qenë një fuqi blerëse dhe taksapagues.”

Ligji për imigracionin, i hartuar nga përfaqësues të të dyja partive, u bë i njohur në fillim të muajit prill në Senat. Megjithëse Kongresi do të jetë pushim, kjo javë, mund të jetë e rëndësishme për sigurimin e mbështetjes legjislative për propozimin.
Ligjvënësit do të jenë këtë javë në shtetet e tyre, për t’u takuar me zgjedhësit. Mbështeteja, apo kundërshtimi i fortë i votuesve për reformën e imigracionit mund të ndihmojë tek qëndrimi që do të mbajnë anëtarët e Kongresit kur ata të rikthehen në punë javën e ardhshme.
XS
SM
MD
LG