Lidhje

Kapitalizmi për ekonomistin Thomas Piketty


Është një libër që nuk ia merrte mendja njeriu që do të ishte aq i suksesshëm – duke e vënë një ekonomist francez në dritën e famës dhe mundësinë për një kandidaturë për çmimin Nobel. Libri Capital in the 21st Century (Kapitali në Shekullin e XXI) i Thomas Piketty-t shqyrton historinë e pabarazisë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë që nga shekulli i 18-të. Më shumë se 100,000 kopje të librit janë shitur në Shtetet e Bashkuara, por në vazhdim do të shohim se libri ka edhe kritikët e tij.

Numri një në listën e librave të gazetës “The New York Times” për librat e bazuar në ngjarje të vërteta – Capital in the 21st Century i Thomas Piketty-t, u shitën të gjitha kopjet javën e parë në faqen Amazon në internet.
Libri paraqet një arsyetim bindës për diçka që shumë kanë patur dyshime– se të pasurit po pasurohen më shumë. Nëse nuk veprojmë, thotë Piketty, do të bëhet më keq.

“Në qoftë se dy të tretat e kësaj rritjeje i shkon 1 për qindshit në krye, nuk është e qartë se kjo është një marrëveshje e mirë për pjesën tjetër të popullsisë.”

Duke analizuar të dhënat për taksat që në fillimin e epokës industriale, teoria kryesore e Piketty-t është se, me kalimin e kohës, kapitali ose pasuria rritet më shpejt se sa prodhimi ekonomik; por, debati përqëndrohet tek zgjidhjet politike të autorit - në mesin e tyre - një taksë globale mbi pasurinë.

Kritikët thonë se masa të tilla ndëshkuese do t’i dëmtonin të gjithë. Stan Veuger studjues i ekonomisë politike në qendrën hulumtuese konservatore American Enterprise Institute.

“Unë nuk pajtohem me gati të gjitha rekomandimet e tij politike, por, edhe përtej kësaj, thjesht nga ana analitike, unë mendoj se ai ekzagjeron se sa është rritur kapitali gjatë 100 vjetëve të fundit.”

Zoti Veuger argumenton se shumë nga akumulimi i pasurisë në Shtetet e Bashkuara ka ndodhur për shkak të rritjes së pronësisë së shtëpive; por, të tjerë thonë se kjo nuk llogarit rritjen e përqendrimit të pasurisë mes të privilegjuarve. David Stasavage është profesor për politikat në Universitetin e Nju Jorkut.

“Ndoshta ka diçka më thelbësore rreth një problemi ku pabarazia në një demokraci do të çojë në mbizotërimin e të pasurve, pavarësisht rregullave që kemi, të cilat normalisht duhej ta parandalonin një gjë të tillë.”

Edhe ekonomitë në zhvillim nuk përjashtohen. Në Kinë, Piketty thotë se rritja negative e popullsisë do të shkaktojë armiqësi mes të pasurve dhe të varfërve.

“Tashmë, trashëgimia e aseteve është duke u bërë një çështje e madhe dhe qasja e pasurive të patundshme në qytetet më të mëdha kineze ku gjenden disa njerëz që trashëgojnë nga pasuria e prindërve të tyre. Të tjerë të ardhur në ato qytete nuk do të jenë në gjendje të kenë prona.”

Piketty shpreson se libri do të nxisë më shumë diskutime. Me këtë pajtohet edhe profesori i universitetit “Yale” Robert Shiller, i cili, pasi fitoi çmimin Nobel në ekonomi, i tha Zërit të Amerikës se rritja e pabarazisë në të ardhurat është problemi më i madh me të cilin përballet bota.

“Ne duhet të mendojmë tani në lidhje me planin e emergjencës për mundësinë e pabarazisë më të theksuar, dhe si mund ta ndalojmë atë? Ai duhet të jetë në formën e një takse për të pasurit.”

Libri i Thomas Piketty-t, rreth 700 faqe, nuk i lehtë në lexim, por si admiruesit, edhe kritikët thonë se ai patjetër që do të nxisë diskutime gjatë vitit zgjedhor në Amerikë, që ka gjasa të dominohet nga çështjet ekonomike.
XS
SM
MD
LG