Lidhje

Tiranë: Forcat politike reagojnë ndaj raportit të TI

  • Armand Mero

Shumica në pushtet bëri përgjegjëse gjendjen në sistemin gjyqësor, ndërsa opozita bëri fajtore direkte qeverinë për gjendjen e korrupsionit

Në Tiranë forcat politike reaguan në mënyra të ndryshme ndaj rezultateve të sotme për përkeqësimin e renditjes së Shqipërinë në indeksin e perceptimit të korrupsionit

Shumica në pushtet bëri përgjegjëse gjendjen në sistemin gjyqësor duke deklaruar se nga ana e saj qeveria ka ndërmarrë masa dhe reforma të shumta të cilat janë arritje të admirueshme dhe gur themeli në luftën kundër korrupsionit, sipas saj. Deputeti demokrat Gerti Bogdani i cili paraqiti qëndrimin zyrtar të shumicës së djathtë, akuzoi për situatën në gjyqësor, ish nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu dhe ish presidentin Bamir Topi, Sipas zotit Bogdani, në periudhën gjatë së cilës ata kanë drejtuar këtë institucion, vendet e punës së gjykatësve janë shitur deri dhe me 200 mijë euro. Zoti Spahiu dha dorëheqjen në shkurt të 2012, ndërsa zoti Topi u largua nga detyra në muajin korrik.

Nga ana e saj opozita bëri fajtore direkte qeverinë për gjendjen e korrupsionit e cila sipas kryetarit socialist Edi Rama e ka renditur vendin krah Etiopisë dhe Nigerisë, dy vende simbole të korrupsionit botëror tha ai. Zoti Rama shtoi se “në 100 vjet shtet sot shqiptarët kanë zyrtarisht qeverinë e tyre më të korruptuar dhe zyrtarisht Shqipëria e 100 vjetorit ka rënë në zonën më të errët të batakut të korrupsionit botëror”, u shpreh zoti Rama ndërsa vinte në pah faktin se Shqipëria ka treguesit më të këqinj në kontinentin europian në indeksin e korrupsionit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG