Lidhje

TIA: Administrata shkel ligjin e informimit


TIA: Administrata shkel ligjin e informimit
TIA: Administrata shkel ligjin e informimit

Organizata Transparency International - Albania publikoi sot një studim, sipas të cilit, administrata shtetërore nuk po i përgjigjet sa duhet kërkesave përherë në rritje të qytetarëve për të marrë të dhëna zyrtare. Organizata ka ngitur një qendër për këshillim dhe ndihmë ligjore, nga ku doli se 30 për qind e ankesave të qytetarëve lidhen me shkelje të ligjit për të drejtën e informimit. Studimi thotë se zakonisht administrata nuk kthen fare përgjigje kërkesave për informacion, as pozitive, as negative, kthen përgjigje të pjesshme dhe të pasakta, ose kthen përgjigje të vonuara përtej afateve ligjore. Daniela Çollaku, koordinatore e projektit, thotë se “kërkesat për informacion sa vijnë e rriten, por gadishmëria e administratës për të informuar ka mbetur në vend, ndaj edhe përmirësimi i ligjit është bërë i domosdoshëm”.

TI kërkoi në ndryshimet e ligjit, të shkurtohet edhe koha e përgjigjes nga 40 ditë në të paktën 2 javë, sepse Shqipëria, afatin më të gjatë në rajon për informimin e qytetarëve. Ilir Aliaj, qendra për Zhvillimin Demokratik të Institucioneve thotë se “ligji për të drjetën e informimit nuk zbatohet në Shqipëri në shumë fusha, por, mungesa e transparencës nga administrata është më e madhe sidomos sa u takon informacioneve financiare”. Sami Neza, Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë thotë se “ligji për të drejtën e informimit ende nuk po zbatohet si duhet: për gazetarët është i papërdorshëm, po ashtu edhe për qytetarët, sepse transparenca e administratës nuk është në nivelet e kërkuara”.

Sipas studimit, institucionet më problemtatike në dhënien e informimit janë ALUIZNI, Zyra e Përmbarimit, Departamenti Anti-Korrupsion i qeverisë, Prokuroria e Tiranës, Ministria e Financave e Gjykata e Lartë. TIA kërkoi zbatimin më të mirë të ligjit mbi të drejtën e informimit nga institucionet shtetërore, duke shmangur parregullsitë, dhe duke rritur transparencën. Po ashtu, TIA kërkoi që në ligj të parashikohen dënime për ata që shkelin e ligjin e informimit.

XS
SM
MD
LG