Lidhje

Tifozët e futbollit amerikan shfrytëzojnë rastin për të parë nga afër idhujt e tyre

  • Parke Brewer

Tifozët e futbollit amerikan shfrytëzojnë rastin për të parë nga afër idhujt e tyre

Tifozët e futbollit amerikan shfrytëzojnë rastin për të parë nga afër idhujt e tyre

Nesër në Shtetet e Bashkuara zhvillohet ndeshja finale e kamptionatit të futbollit amerikan që njihet me emrin Super Bowl. Kjo është ngjarja më madhe sportive e vendit. Tifozët e përkushtuar të futbollit amerikan janë mbledhur në Indianapolis të shtetit Indiana përpara lojës që do të zhvillohet mes ekipeve New England Patriots dhe Nju Jorkut Giants. Por, biletat për të ndjekur ndeshjen janë të shtrenjta - dhe është e vështirë të gjenden. Disa tifozë, megjithatë, janë më se të gatshëm për të paguar para për të parë se si prapa skenës gazetarët dhe lojtarët bisedojnë për lojën.

Biletat për ndeshjen finale të futbollit amerikan që zhvillohet të dielën janë shitur me çmime nga 800 deri në 1 mijë e 200 dollarë për një biletë. Disa bileta që po rishiten tani kapin vlerën e 16 mijë dollarëve për një biletë.

Por këtë vit, për 25 dollarë, 5000 tifozë kanë shfrytëzuar shansin për të ndjekur nga afër lojtarët e tyre të preferuar. Ndërkohë që rreth 2 mijë gazetarë do të intervistojnë lojtarët, tifozët do të kenë mundësi të dëgjojnë intervistat me lojtarët në fushën e lojës përmes radiove të veçanta.

Tifozi i ekipit New England Patriots Dean Tambling thotë se kjo është një përvojë e veçantë.

“Ishte mirë të dëgjoje një intervistë të plotë e jo vetëm pjesë të intervistës që zakonisht transmetohen në televizion ose radio”.

Kjo është hera e parë që Liga Kombëtare e Futbollit lejon tifozët në këtë aktivitet. Tifozi i ekipit New York Giants, Kevin Stumpf ishte i pranishëm në këtë ngjarje.

“Nuk dija çfarë të prisja. Mendoj se ishte një gjë e mirë që Liga Kombëtare e Futbollit ofroi këtë mundësi për tifozët. Në fillim menduam se do të ishim më afër fushës së futbollit”.

Por, tifozët u ulën në shkallët e stadiumit dhe shikonin veprimet e gazetarëve në fushë ndërkohë që ata bisedonin me lojtarët dhe trajnerët.

Një kanal televiziv në gjuhën spanjolle luante muzikë me zë të lartë për të tërhequr lojtarët për intervista.

Një gazetare papritmas tërhoqi lojtarin e New York Giant Jim Cordle nga intervista që bënte me Zërin e Amerikës dhe filloi të vallëzonte me të.

“Ky ishte ndoshta momenti më i çuditshëm i jetës sime. Ja shikoni, kjo është një përvojë interesante”.

Edhe lojtarëve u pëlqen që i kanë tifozët pranë. Mbrojtësi i ekipit New England Patriots Markell Carter thotë:

“Jam i kënaqur që tifozët janë këtu. Mendoj se ata janë pjesë e rëndësishme e ndeshjes finale. Përveç lojtarëve, unë do të thosha se tifozët janë ata që krijojnë një atmosferë të mrekullueshme në ndeshjen finale të Super Bowl-it”.

Mijëra tifozë kanë shkuar në Indianapolis këtë javë ndërkohë që po shtohen emocionet për këtë ndeshje të madhe. Ata që nuk kanë bileta për të parë ndeshjen mund të përfitojnë nga një numër aktivitetesh përfshirë koncerte, ngjarje bamirëse etj.

Çdo vit, falë interesit të tifozëve ndeshjet e kampionatit kombëtar të futbollit janë programet më të shikuara televizive në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG