Lidhje

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson fillon një turne aziatik


Shtetet e Bashkuara po kërkojnë alternativa të reja lidhur me politikën që duhet ndjekur ndaj Koresë së Veriut, ndërsa sekretari i shtetit Rex Tillerson fillon këtë javë një turne në disa vende aziatike: Japoni, Koreja e Jugut dhe Kinë. Sekretari Tillerson përballet gjatë kësaj vizite me disa sfida, si tensionet me Kinën për çështjen e debatueshme të mbrojtjes nga raketat dhe ndërlikimet që rezultojnë nga trazirat politike në Korenë e Jugut.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson shkon në udhëtimin e tij të parë në Azi, si kryediplomati i SHBA, në një kohë trazirash politike në Korenë e Jugut lidhur me procesin e shkarkimin të presidentes dhe kur po shtohen tensionet me Kinën për çështjen e mbrojtjes nga raketat.

Vizita e tij ndodh gjithashtu pasi Koreja e Veriut hodhi në fillim të muajit, katër raketa balistike në brigjet veriperëndimore të Japonisë.

Kërcënimi nga raketat bërthamore dhe balistike të Phenianit është nga çështjet kryesore në rendin e ditës së zotit Tillerson.

"Vazhdimi i provave dhe fuqizimi i programit bërthamor të Phenianit përbën shqetësim dhe po shkon drejt pikës kur ne duhet të shqyrtojmë alternativa të reja. Kjo është një nga çështjet që ne do të diskutojmë me aleatët dhe partnerët tanë në rajon, në përpjekje për të përcaktuar një qëndrim të ri ndaj Koresë së Veriut.”- thotë zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit.

Por Uashingtoni mund të mos jetë gati për një dialog të drejtpërdrejtë me regjimin e Penianit.

"Duke patur parasysh sjelljen e kohëve të fundit të Koresë së Veriut, ne nuk jemi në pikën kur po kërkojmë të kemi një angazhim të drejtpërdrejtë me ta. E nuk jemi duke vepruar në përshtatje me këtë lloj sjelljeje.”- thotë zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara thonë se do të vazhdojnë të ndjekin planin për dislokimin e sistemit mbrojtës THAAD në Korenë e Jugut, një hap të cilin Kina e ka kundërshtuar me forcë.

“Mendoj se Kina duhet të jetë e zemëruar me Korenë e Veriut, për shkak të së cilës ka lindur nevoja për krijimin e sistemit THAAD. Le të shohim rrënjët e problemit, jo paraqitjen e tyre të jashtme. Problemi është Koreja e Veriut.”- thotë analisti.

Në Kinë, kryediplomati amerikan do të ndjekë çështjet e prekura nga Presidenti Donald Trump në bisedën telefonike me presidentin kinez Xi Jinping, si dhe në kontakte të tjera të nivelit të lartë, për të patur marrëdhënie dypalëshe konstruktive, ndërsa përpiqet të sigurohet që Pekini vepron në përputhje me marrëveshjet tregtare.

XS
SM
MD
LG