Lidhje

Pritshmëritë nga vizita në Kinë e Sekretarit Tillerson


Çështja e mprehtë e tregtisë do të jetë një temë kryesore që Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, do të diskutojë me udhëheqësit kinezë gjatë vizitës së tij të fundjavës në Pekin. Për shkak të kritikave të hapura të Presidentit Trump ndaj praktikave të tregtisë dhe politikave të tjera të Pekinit, nuk pritet të jetë e lehtë gjetja e pikave të përbashkëta.Vizita e parë zyrtare e Sekretarit të Shtetit Tillerson në Azi, e kurorëzuar me një vizitë në Pekin, shikohet si një hap i rëndësishëm për përcaktimin e ndërveprimit të dy ekonomive më të mëdha të botës.

Ai do të bisedojë me zyrtarët kinezë rreth mënyrave për të bashkëvepruar për tregtinë dhe për çështje të tjera të rëndësishme:

“Duam të jemi në gjendje të kemi një diskutim konstruktiv me Kinën për fushat problematike dhe të bëjmë progres”, thotë Ndihmës Sekretarja e Shtetit në detyrë, Susan Thornton.

Presidenti Trump u ankua shpesh gjatë fushatës për praktikat tregtare të Kinës, dhe kërcënoi të vendosë tarifa të ashpra të importit ndaj mallrave kineze, si dhe ta konsiderojë atë si një vend që manipulon monedhën.

Asnjë nga këto nuk ka ndodhur ende dhe që nga telefonata e muajit të kaluar ndërmjet Presidentit Trump dhe Presidentit kinez Xi Jinping, marrëdhënia duket se po lëviz në drejtimin e duhur.

Megjithëse zyrtarët kinezë flasin për një ndjesi optimizmi për marrëdhëniet dhe premtojnë më shumë qasje për kompanitë e huaja, shqetësimet për një luftë të mundshme tregtare dhe mosmarrëveshje vazhdojnë të mbizotërojnë në Kinë.

“Nuk duam të shohim një luftë tregtare ndërmjet dy vendeve. Kjo nuk do ta bënte tregtinë tonë më të drejtë. Shpresa jonë është se pavarësisht pengesave që mund të hasë marrëdhënia, do të vazhdojmë të lëvizim në drejtimin pozitiv”, tha Kryeministri i Kinës, Li Keqiang.

Në rrugët e Pekinit, disa shprehin shqetësim për drejtimin e marrëdhënieve, por edhe besimin se do të gjendet mënyra për të menaxhuar mosmarrëveshjet.

“Për sa kohë që gjejnë një mënyrë paqësore për të trajtuar interesat e tyre, palët munden të përparojnë”, thotë Chen, një banor i Pekinit.

“Pavarësisht se ç’thonë në SHBA, secila palë ka axhendën e saj politike. Do të ketë mosmarrëveshje, por nuk mendoj se do të ketë luftë tregtare”, thotë Lu.

“Sigurisht që do të ketë mosmarrëveshje për tregtinë dhe financat, por kjo është normale”, thotë Yuan.

Analistët thonë se kjo është një gjë normale për shkak të përmasave dhe interesave të mëdha të dy ekonomive, por avancimi i axhendës “Amerika e para” e Presidentit Trump dhe ruajtja e marrëdhënies me Kinën mbart pasiguri të reja.

XS
SM
MD
LG