Lidhje

Sekretari i Shtetit Tillerson në Kinë


Kryediplomati amerikan ndodhet në Kinë për pjesën e tretë dhe të fundit të turneut të tij në Azi, me fokus Korenë e Veriut dhe programin e saj bërthamor. Ai u takua të shtunën me homologun e tij dhe të dielën do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping.

Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson tha të shtunën pas takimit të tij në Pekin me homologun kinez Wang Yi se tensionet në Gadishullin Korean janë në një “nivel tepër të rrezikshëm”.

“Unë dhe Ministri i Punëve të Jashtme Wang biseduam gjerësisht mbi Korenë e Veriut, dhe ai ritheksoi qëndrimin e Kinës për një gadishull Korean pa armë bërthamore. Ne gjithashtu shkëmbyen pikëpamjet tona, dhe unë mendoj se ne pajtohemi se tensionet në gadishull janë mjaft të larta tani dhe se situata ka arritur një nivel tepër të rrezikshëm”.

Zoti Tillerson vazhdoi duke thënë se të dy vendet do të punojnë së bashku për të arritur aty ku duan me qeverinë e Phenianit, dhe nëse nuk ka ndryshim, ata do të ndryshojnë mënyrë veprimi, për t’u siguruar se Koreja e Veriut të mos vazhdojë me armët bërthamore.

Të premten në Seul, zoti Tillerson tha se politika e “durimit strategjik”, me Korenë e Veriut ka përfunduar, dhe se veprimi ushtarak kundër Phenianit është një nga opsionet.

“Politika e durimit strategjik ka përfunduar. Ne jemi duke eksploruar një sërë masash të tjera diplomatike, duke përfshirë masa ekonomike dhe të sigurisë, dhe të gjitha opsionet po konsiderohen,” tha ai.

Më herët gjatë javës, Sekretari i bëri thirrje Kinës që të rrisë përpjekjet e saj për të inkurajuar Korenë e Veriut që të braktisë programin e saj bërthamor. Ai gjithashtu inkurajoi Kinën të zbatojë plotësisht sanskionet e OKB-së të cilat kanë për qëllim për t’i bërë presion qeverisë së Koresë së Veriut.

Zoti Tillerson ka në plan të takohet me presidentin kinez Xi Jinping të dielën. Përveç Koresë së Veriut, bisedime ka të ngjarë të përqëndrohen mbi tregtinë dhe mosmarrëveshjet territoriale për Detin e Kinës Jugore.

XS
SM
MD
LG