Lidhje

Anti-terrorizmi, fokusi i vizitës së sek. Tillerson në Evropë


Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson u takua sot në Ankara me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Ministrin e Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu. Vizita ndodh në një kohë kur aleatët po shqyrtojnë hapat e tyre të ardhshëm në fushatën për të mposhtur militantët e Shtetit Islamik dhe stabilizimin e krizës së refugjatëve në rajon.

"Biseda e sotme u ndërtua mbi synime të përbashkëta afatgjata, siç janë bashkëpunimi për të mposhtur IS-isin, krijimin e stabilitetit në rajon dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve tona," tha Tillerson pas takimit me homologun e tij Çavuşoğlu. "Turqia ka qenë një aleat i NATO-s që nga viti 1952 dhe ne vazhdojmë bashkëpunimin ushtarak në kuadër të aleancës dhe koalicionin botëror për të mundur IS-isin", shtoi ai.

Më vonë në udhëtimin e tij evropian në takimin e parë që do të ketë me homologët e aleancës, sekretari i shtetit do t’u bëjë trysni aleatëve të NATO-s për rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Trupat amerikane kanë forcuar fushatën ushtarake për të rimarrë qytetin e Rakës nga Shteti Islamik si dhe përpjekjet për stabilizimin e zonave dikur nën kontrollin e militantëve. Kjo do të siguronte kthimin në shtëpi të refugjatëve.

Vizita e zotit Tillerson në Turqi shihet si mundësi për të përparuar me objektivat e vendosura në takimin e javës së kaluar mes partnerëve të koalicionit kundër IS-isit, që u mbajt në Uashington.

"Shtetet e Bashkuara do të rrisin trysninë mbi IS-isin dhe al-Kaidën dhe do të punojnë për të krijuar zona të përkohshme stabiliteti nëpërmjet armëpushimit, për të lejuar refugjatët të kthehen në shtëpi. Kjo ndodh në një kohë kur po përgatitet një kurs më i vendosur veprimi në Siri nga koalicioni", tha zoti Tillerson.

Por kjo sipas ekspertit për Lindjen e Mesme, Daniel Serwer, mund të jetë një kërkesë me shumë peshë.

"Turqia do të donte të kishte zona të sigurta, ata ua kanë propozuar këtë prej vitesh," thotë ekseprti. "Por ato janë në fakt jashtëzakonisht të vështira për t’u krijuar, mbrojtur dhe ruajtur".

Përpara se të takohet për herë të parë me ministrat e jashtëm të NATO-s, zoti Tillerson u takua me homologët e tij të shteteve baltike. Ata shprehën besimin se Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë NATO-n.

Zoti Tillerson do të marrë pjesë në bisedimet në kuadër të NATO-s përpara vizitës së tij në Moskë, gjë që i jep fund polemikave lidhur me vendimin e tij të mëparshëm për të mos marrë pjesë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG