Lidhje

Tillerson do të vizitojë Rusinë në një klimë tensionesh


Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, do të zhvillojë të mërkurën takime në Moskë me udhëheqësit rusë, ndërsa janë rritur tensionet për sulmet ajrore në Siri.

Zoti Tillerson e akuzoi Moskën për bashkëpunim ose paaftësi në lidhje me përdorimin e armëve ndaj civilëve, për të cilat akuzohet Presidenti sirian Bashar al-Assad. Ndërsa Rusia e quajti kundërpërgjigjen amerikane nëpërmjet një sulmi raketash ndaj një baze ajrore siriane, si një akt agresioni me pasoja negative.

Përpara vizitës së tij në Rusi, e para si Sekretar Shteti, zoti Tillerson, i cili ndodhet në Itali për takime në kuadrin e samitit të Grupit G-7, mori pjesë edhe në një ceremoni përkujtimore për një masakër ndaj civilëve të kryer nga nazistët në vitin 1944. “Ne i kujtojmë ngjarjet e 12 gushtit 1944 që ndodhën në Sant ‘Anna. Dhe ne i ripërkushtohemi vendosjes para përgjegjësisë të çdokujt dhe të të gjithë atyre që kryejnë krime ndaj të pafajshmëve në botë”, tha ai.

Mesazhi i mprehtë i zotit Tillerson vjen pak ditë pas një sulmi amerikan me raketa kundër një baze ajrore siriane, nga e cila mendohet se u ndërmorën sulmet me gaz helmues të martën, duke marrë jetët e rreth 100 civilëve sirianë.

Kryediplomati amerikan e ka akuzuar Rusinë se nuk parandaloi sulmin kimik dhe i bën thirrje Kremlinit të rishikojë mbështetjen ndaj Presidentit sirian Bashar al-Assad. Sipas analistëve, kjo thirrje e tij pritet të hidhet poshtë nga Moska.

Pikërisht tani, pas sulmit amerikan, do të ishte shumë e vështirë për Moskën të ndryshonte mbështetjen për Assadin. Kjo sepse çdo ndryshim do të perceptohej sikur bëhet nën presionin amerikan”, thotë Andrei Kortunov, i Këshillit Rus për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Pozicioni zyrtar rus është se u takon sirianëve të vendosin se kush do të jetë në krye atje. Dhe vërtet, është puna e popullit sirian të zgjedhë udhëheqësin e tij, qoftë ky Assadi apo dikush tjetër”, thotë Victor Kremenyuk, i Akademisë Ruse të Institutit të Shkencave për Studime Amerikane dhe Kanadeze.

Damasku dhe mbështetësit rusë mohojnë përdorimin e armëve kimike. Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se gazi helmues ishte i magazinuar nga rebelët sirianë dhe se u çlirua në ajër pasi u bombardua depoja. Rusia akuzoi SHBA-në për agresion të paligjshëm me goditjen e raketave të premten kundër Sirisë.

Rusia ndërpreu bashkëpunimin me SHBA-në për sigurinë ajrore në Siri. Gjithashtu, një komandë e përbashkët për operacionet në Siri, e menaxhuar bashkarisht nga Moska, Teherani dhe Damasku, kërcënoi se do të kundërpërgjigjet ndaj çfarëdolloj sulmi të ardhshëm amerikan.

Është vërtet e mundshme që avionë ose raketa amerikane, apo të koalicionit në Siri, të sulmohen nga sistemet e mbrojtjes ajrore ose avionë bombardues rusë, sirianë apo iranianë. Dhe ky do të ishte vërtet një zhvillim shumë i rrezikshëm”, thotë zoti Kremenyuk.

Megjithë tensionet, dhe në dallim nga homologu i tij britanik, vizita e zotit Tillerson në Moskë nuk u anulua, duke u perceptuar kështu nga shumë njerëz si një përpjekje për të parandaluar një konflikt SHBA – Rusi.

Por, mendoj se është e qartë se pozitat nga do të zhvillohen këto bisedime nuk janë aq të mira. Ka shumë mosbesim nga të dyja palët. Jam i sigurtë se emocionet do të mbizotërojnë gjatë këtyre takimeve”, thotë zoti Kortunov.

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, anuloi vizitën e tij të 10 prillit në Moskë pas sulmit me gaz helmues. Zoti Johnson dhe zoti Tillerson u takuan sot në Itali, në kuadrin e samitit të grupit G-7.

Edhe nëse nuk mund të bëhet shumë progres në lidhje me Sirinë, analistët thonë se Sekretari Tillerson dhe Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, kanë shumë për të biseduar.

Siria nuk është e vetmja çështje këtu. Janë p.sh. gadishulli korean, Deti i Kinës Jugore, i ashtuquajturi Shteti Islamik, terrorizmi ndërkombëtar, Ukrania, etj.” thotë zoti Kremenyuk.

Analistët thonë se takimet në Moskë të zotit Tillerson mund të përcaktojnë tonin e marrëdhënieve SHBA – Rusi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG