Lidhje

Tirana feston 100 vjetorin e pavarësisë


Ndersa festimet kishin nisur që në orët e para të ditës, ceremonitë zyrtare u hapën me homazhe në varrezat e dëshmorëve të kombit, ku autoritetet më të lartë të Shqipërisë por edhe të Kosovës vendosën kurora pranë monumentit të Nënës Shqipëri.

Më pas një moment i vecantë ishte prerja e tortës gjigande të përgatitur në qendër të Tiranës e cila ishte e mbuluar me një krem të kuq dhe shegë me në qendër shqiponjën dy krenare të përgatitur me cokollatë të zezë, duke pasqyruar besnikërisht flamurin kombëtar. Që prej ditës së djeshme afër 200 pasticierë punuan pa ndërprerje për realizimin e saj. Një tortë e përmasave të jashtëzakonshme, me një sipërfaqe prej 550 metrash katrorë dhe nje peshë prej 18 ton. Ajo pati një kosto prej afër 130 mijë dollarësh por u realizua falë mbështetjes së dhjetra sipërmarësve shqiptarë që ofruan falas përbërësit e nevijshëm për përgatitjen e saj.

Torta u pre nga kryeministri Sali Berisha dhe presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaci. Zoti Berisha bëri dhe një përshëndetje të shkurtër për dhjetra mijëra personat që mbushnin sheshin: “Qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës, shqiptarë kudo që jeni. Gëzuar 28 nëntorin, ditën e lindjes së Shqipërisë së Pavarur. Njëqind, njëmijë, mijëra vite në liri në besim, në shpresë, të bashkuar më shumë se kurrë. Gëzuar”.

Më pas kryeministri do të fliste sërish për këtë ngjarje të vecantë në drekën e shtruar për këtë rast. Ai do ta quante shpalljen e pavarësisë si një nga lindjet më të vështira në kontinent, duke kujtuar edhe momentet e tjera të vështira ku ekzistenca e Shqipërisë u vu në pikëpyetje. Në këtë drekë merrnin pjesë shumë personalitete të huaja, po ku mungoi presidenti maqedonas i cili dje anulloi vizitën për shkak të incidenteve që shoqëruan vizitën në Tiranë javën e shkuar të kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, makina e të cilit u qëllua me një vezë ndërsa dy flamuj maqedonas u dogjën. Ndërsa sot njoftoi anullimin e vizitës edhe ministri i jashtëm grek Avramopoulos në shenjë proteste ndaj disa deklaratave të djeshme të kryeministrit Berisha I cilia ka përmendur Prevezën si tokë shqiptare. Zëdhënsja e kryeministrit reagoi duke shjeguar se deklarata e kryeministrit i referohet kontekstit historik të 100 viteve me pare dhe nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë te Jugut, Veriut apo lindjes”, saktësoi zëdhënësja.
XS
SM
MD
LG