Lidhje

Çlirimi i Tiranës, rishfaqen fotot e Enverit


Në ceremoninë ku ishte kryeministri, një grup veteranësh me fotot e diktatorit komunist. Opozita: Festa u baltos. Po rehabilitohet figura e Hoxhës. Rama: Keqardhje për ata që u futën si diversantë. Janë e shkuara

Në Shqipëri ceremonitë për 70 vjetorin e clirimit të kryeqytetit rihapën polemikat për figurën e diktatorit Enver Hoxha. Disa pankarta me portretin e tij, të mbajtura nga disa veteranë të luftës, u shfaqën gjatë një aktiviteti të organizuar nga prefektura e Tiranës pranë monumentit Ushtari i Panjohur, ku merrte pjesë kryeministri Edi Rama dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta. Partia demokratike reagoi menjëherë, duke deklaruar se Festa e Çlirimit u baltos në mënyrën më të turpshme. Në mbrëmje kryeministri ju kundërpërgjigj akuzave.

Festimet për çlirimin e Tiranës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

Festimet lidhur me datat që kujtojnë angazhimin e shqiptarëve gjatë luftës së dytë botërore kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë, prej shumë kohësh festohen të ndara nga dy krahët e politikës shqiptare. E njejta skenë u përsërit edhe sot në 70 vjetorin e clirimit të kryeqytetit, ku u zhvillua një nga betejat më të rëndësishme.

E djathta ishte në Varrezat e dëshmorëve, ku drejtuesë të Bashkisë së TIranës dhe përfaqësuesë të lartë të Partisë demokratike bënë atje homazhet e rastit.Të majtët, në një ceremoni të organizuar nga prefektura e Tiranës u mblodhën në qendër pranë monumentit të Ushtarit të panjohur. Ashtu sic ka ndodhur edhe në shumë raste të tjera, në qytete të ndryshme të vendit, edhe këtu u shfaq një grup i vogël veteranësh të cilët mbanin në duar pankarta me fotot e diktatorit Enver Hoxha,. Ata ju bashkuan grumbullit të njerëzve të mbledhur në ceremoninë ku ishte dhe kryeministri Edi Rama, kryetari I Parlamentit Ilir Meta dhe anëtarë të tjerë të të qeverisë. Në një distancë prej vetëm pak metrash ata thërrisnin dhe emrin e diktatorit, ndërsa qëndruan aty, deri në fund, ndonëse disa punonjës të policisë tentuan që të paktën t’i mbanin në një distancë më të largët.

Autoritetet, dhe në raste të tjera të ngjashme, kanë folur për nostalgjikë të moshuar, por pa mbajtur një qëndrim zyrtar të prerë, duke ushqyer në këtë mënyrë polemika të shumta e deri dhe akuza për një përpjekje për të rehabiliituar figurën e diktatorit komunist.

Edhe për episodin e sotëm partia demokratike reagoi duke akuzuar kryeministrin dhe kryetarin e parlamentit pikërisht se "vunë në jetë projektin e tyre për të rehabilituar Hoxhën", u shpreh kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka: “Me fotot e Enverit pas shpatullave, me korin e Enverit në sfond, Rama dhe Meta, gjetën mënyrën më të turpshme për të baltosur 70 vjetorin e clirimit të Tiranës.Duke përkujtuar këtë ditë të shënuar, me dikatorin Hoxha, Rama dhe Meta, kanë fyer kujtimin e dhjetra intelektualëve, heronjtë e vërtetë të luftës, të cilët u vranë dhe u lincuan drejtpërdrejt nga dora e Enverit. Rama dhe Meta kanë fyer sakricifat e dëshmorëve të luftës, të cilët dhanë jetën për lirinë e vlerat europiane, vlera të cilat i përdhosi dikatori Hoxha, me instalimin e regjimit më të egër dhe më gjakatar në gjithë lindjen”.

Mbi ngjarjen pati dhe një reagim nga ambasada amerikane në Tiranë. Në faqen e saj në Twitter shkruhej se “Fatkeqësisht, fotot e diktatorit e njollosën ceremoninë e sotme”. Ndërsa ambasadori Alexandër Arvizu, po në Twitter, do ta cilësonte si "një fyerje për shqiptarët".

Pasdite vonë, kryeministri Edi Rama reagoi përmes një shënimi në facebook. “Keqardhje për të paftuarit që futen si diversantë nëpër turmat e aktiviteteve përkujtimore të çlirimit, për të ngritur fotografitë e Enver Hoxhës”, shkruan kryeministri, ndërsa i kundërpërgjigjet dhe akuzave të opozitës duke shtuar se ndjen “keqardhje për të fandaksurit që kapen pas fotografive të Enver Hoxhës, për të bërë luftë politike me ne. Të dyja palët janë e shkuara e këtij vendi i cili s’ka kohë për të humbur me marrëzitë e tyre! Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët”, përfundon kryeministri Rama.

XS
SM
MD
LG