Lidhje

Armët kimike, Tirana drejt tërheqjes

  • Armand Mero

Qeveria shqiptare duket se mund tërhiqet nga bisedimet për shkatërrimin e armëve kimike siriane në territorin e Shqipërisë, konfirmuan për Zërin e Amerikës, burime pranë qeverisë. Ndërkohë që zyrtarisht, qeveria saktëson se ajo vazhdon të jetë në kontakt me palët e partnerët e që janë pjesë në këtë proces. Vendi sot u përfshi nga një valë protestash në shumë qytete, ndërsa një situatë e tensionuar mbizotëroi edhe në sallën e parlamentit. Opozita u shpreh publikisht kundër projektit të armëve kimike dhe kërkoi organizimin e një referndumi. Kryetari i parlamentit Ilir Meta dhe përfaqësuesit socialistë përsëritën disa herë se për këtë cështje nuk ka vendim nga autoritetet shqiptare dhe se cdo vendim do të duhej të kalonte më parë nga parlamenti.

Ndërsa një valë protestash përfshinë sot të gjithë vendin, qeveria duket se mund të tërhiqet nga bisedimet për mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike siriane në territorin shqiptar. Të paktën ky ngjan për momentin skenari më i mundshëm, i cili ju konfirmua Zërit të Amerikës nga burime të mirëinformuara pranë qeverisë shqiptare. Megjithatë zyrtarisht qveria saktësoi se ajo vazhdon të jetë në kontakte me palët e përfshira në proces.



Por kur asgjë nuk është komunikuar publikisht, protestat kanë vazhduar për orë të tëra në kryeqytet. Ato nisën te parlamenti pak përpara se të hapej seanca e sotme. Kryetari i parlamentit Ilir Meta, takoi personalisht manifestuesit për ti qetësuar, duke i garantuar se anjë vendim nuk do të merret pa dëgjuar zërin e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Zotit Meta ju desh me pas të ndërhynte edhe për të zbutur tensionin në sallëne e parlamentit. Pak përpara nisjes së seancës opozita u pozicionua kundër shkatërimit të armëve kimike në Siri duke kërkuar që për këtë cështje të vendosej përmes një refrendumi: “Duke e konsideruar si të papranueshme marrjen dhe asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri dhe duke ndërmarrë sot iniciativën për referendum popullor - është rasti të theksojmë se vendi ynë, opozita shqiptare, populli shqiptar janë faktorë të përgjegjshëm, seriozë dhe të përkushtuar për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë”, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha.

Në sallën e parlamentit nënkryetari i grupit demokrat Eduard Halimi tha se e vetmja cështje për diskutim duhet të ishte ajo e armëve kimike nga Siria, duke kërkuar që kryeministri Edi Rama të paraqitej urgjentisht në parlament.

Polemikat mes palëve vazhduan për një kohë të gjatë. “Keni nevojë të carmatoseni të gjithë ju që i referoheni spekullimeve që keni nxitur vetë”, deklaroi zoti Meta duke ju drejtuar deputetëve të opozitës."Në mënyrën më absolute, opozita shqiptare nuk do të pranojë për asnjë cmim qoftë dhe një mbushje të vetme me armë kimike në territorin e Shqipërisë, qoftë edhe një gram të vetëm të këtyre armëve”, u shpreh ish kryeministri Berisha. “Garantoj qytetarët se nuk ka asnjë vendim, asnjë vendim”, theksoi nga ana tjetër kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci.

Manifestimet ndërkohë u përhapën në disa qytete të vendit. Në Tiranë protesta u zhvendos përpara godinës së qeverisë. Për disa minuta asaj ju bashkua edhe ish kryeministri Sali Berisha dhe kryetari demokrat Basha. Ndërsa u pritën me brohoritje nga një pjesë e manifestuesve të tjerë kërkuan që cështja të mos politizohej. Manifestuesit vazhdojnë të jenë ende përpara godinës së kryeministrisë duke paralajmëruar se do të qëndrojnë aty pa ndërprerje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG