Lidhje

Bombat në Tiranë, 4 arrestime


Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim lidhur me shpërthimet e kohëve të fundit

Në Shqipëri katër persona u arrestuan sot pas dyshimeve se mund të jenë përfshirë në vendosjen e bombave dhe shpërthimet me eksploziv të ndodhura në Tiranë dy javë më parë, mes tyre edhe në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Urdhërat e arrestit janë firmosur nga Gjykata e krimeve të rënda. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Akuzat e ngritura ndaj tyre janë për “Vepra me qëllime terroriste”, “Krijim të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes se veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Tiranë arrestohen katër persona
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Ende nuk dihet se cfarë provash prokuroria ka në dispozicion të Lumjan Matmujës, Ernest Gjutës, Kamber Brukës dhe Erjon Dules, katër personat e arrestuar gjatë orëve të natës, por në një njoftim zyrtar të saj shpjegohet se ajo “ka krijuar dyshime të arsyeshme për përfshirjen në aktet e shpërthimit me tritol ose të mbetura në tentativë”, dy javë më parë më 10 shkurt në Tiranë. Bëhet fjalë për ngjarjet që tronditën kryeqytetin kur brenda harkut të një ore, në të njejtën zonë, u regjistruan dy shpërthime, njëra në farmacinë në pronësi të babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe tjetra në banesën e një oficeri të policisë. Në po të njejtën ditë një bombë u gjet e pashpërthyer në mëngjes në anën tjetër të qytetit, pranë një stacioni autobusi të Unazës.

Prokuroria ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, për të cilët ajo ka dhënë vetëm inicialet. Ndërkohë që pak ditë më parë ishte arrestuar dhe një 24 vjecar, Emirjon Gjuta, pasi rezultoi që karta telefonike e celularit me të cilin ishte lidhur bomba e gjetur në Unazë të ishte në emrin e tij.

Për ngjarjet e dy javëve më parë, hetimet që në ditën e parë nisën për vepra terroriste dhe kjo është dhë një ndër tre akuzat e ngritura ndaj të 7 personave të cilët konsiderohen pjesë e “një grupi të strukturuar kriminal”, që përbën dhe akuzën tjetër ndaj tyre së bashku me atë të “kryerjes se veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Në njoftimin e saj prokuroria saktëson se nga hetimet e deritanishme rezulton se të arrestuarit, në bashkëpunim midis tyre në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë kryer përgatitjen, vendosjen dhe shpërthimin e pajisjeve bombë të telekomanduara me celular në farmacinë e babait të ministrit Tahiri si dhe vendosjen e lëndës shpërthyese në stacionin e autobuzëve në Rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Hetimet për këtë ngjarje janë kryer në bashkëpunim me policinë, për të cilën, kryeministri Rama u shpreh me vlerësime gjatë një aktiviteti për përurimin e disa mjediseve të rikonstruktuara. “Arrestimi i elementëve të përfshirë në veprat terroriste të pak kohëve më parë, flet për një rritje jashtëzakonisht domethënëse, të kontrollit mbi territorin dhe të profesionalizmit të Policisë së Shtetit”, u shpreh kryeministri

Shpërthimet dhe bombat në Tranë krijuan një gjendje të lartë pasigurie, ndërsa ushqyen për ditë të tëra edhe debatin politik mes qeverisë dhe opozitës.

XS
SM
MD
LG