Lidhje

Tiranë, 21 ditë protesta e opozitës


Në Tiranë, protesta e opozitës hyri të enjten në ditën e 21-të, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të ardhshme nga një qeveri teknike.

Partitë e opozitës kanë bojkotuar parlamentin dhe disa prej tyre po tërheqin dokumentat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si parti garuese në zgjedhjet e qershorit.

Partitë e opozitës nisën nga e enjtja veprimet e para për të zyrtarizuar mos-pjesëmarrjen në garën e ardhshme zgjedhore, duke këmbëngulur që ajo të organizohet nga një qeveri teknike.

Ndërsa protesta e tyre në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” midis selisë së qeverisë dhe parlamentit, hyri sot në ditën e 21-të, dy parti aleate të PD-së, sipas njoftimeve vendore, Partia Republikane dhe ajo Agrare Ambientaliste, pezulluan marrëdhëniet me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke bllokuar regjistrimin dhe dokumentat si parti garuese.

Grupi i deputetëve të opozitës, ka bojkotuar parlamentin dhe po mban mbledhjet e tij cdo të enjte në çadrën e protestës, në të njëjtën orë me seancat plenare të kuvendit.

Shumica e majtë ka shprehur gadishmërinë për të dialoguar me partitë e opozitës. Socialistët zgjatën përsëri afatin e punës së komisionit parlamentar të reformës zgjedhore.

Përfaqësuesit e koalicionit të majtë janë shprehur se opozita bojkotoi parlamentin për të frenuar reformën në sistemin e drejtësisë, ndërsa kërkesën për dorëheqje të kryeministrit Rama dhe formimin e një qeverie teknike e kanë vlerësuar si të papërputhur me realitetin, kur shumica nuk ka krizë mandatesh në parlament dhe kur zgjedhjet e reja janë vetëm 3 muaj larg.

XS
SM
MD
LG