Lidhje

Tiranë: Parlamenti diskuton për nevojën e kompromisit politik në reformat evropiane


Tiranë: Parlamenti diskuton për nevojën e kompromisit politik në reformat evropiane
Tiranë: Parlamenti diskuton për nevojën e kompromisit politik në reformat evropiane

Parlamenti shqiptar diskutoi sot mbi nevojën e kompromisit politik, pas kritikave të Bashkimit Europian se ngërçi politik dhe marrëdhëniet e ashpra pozitë-opozitë po pengojnë integrimin e Shqipërisë në Europë. Deputetët e opozitës deklaruan se oferta e re e PS është një rast i mirë për të zgjidhur krizën politike, që sipas tyre, ka mbërthyer institucionet shqiptare.

“Raporti i Komisionit Europian është pasqyrë e realitetit shqiptar, ndërsa personi që mban peng integrimin, duke mbajtur peng zgjidhjen e krizës, është vetëm kryeministri Sali Berisha. Komisioni Europian ka plotësisht të drejtë kur thotë se qeveria nuk është e gatshme të zgjidhë krizën. Oferta e Partisë Socialiste është e vetmja shpresë për të dalë nga kriza politike” - tha deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Deputetët e Partisë Demokratike kritikuan opozitën për qëndrimet e ngurta ndaj projekt-ligjeve dhe reformave të nisura nga qeveria, që sipas tyre, sollën edhe opinionin negativ të BE për pjekurinë politike të Shqipërisë.

“Ju që për një vit nuk votuat asnjë ligj, përfshi edhe ligjin për gjykatën administrative, dhe ligjet për drejtësinë dhe kodin penal, me pretendimin absurd të hapjes së kutive - të cilat po vetë nuk i hapët, duhet të kërkoni të falur shqiptarëve dhe t’i votoni ato sa më parë për të mos penguar integrimin e vendit. Ju që refuzuat në mënyrë fëminore çdo ofertë të bërë nga maxhoranca gjatë një viti për çdo amendament dhe ligj me shumicë të cilësuar, përfshi edhe ofertën e sinqertë që opozita ta emërojë vetë avokatin e popullit, duhet të kërkoni falje shqiptarëve dhe premtojuni se kjo sjellje nuk ka për të ndodhur më” - tha deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi.

Por opozita dëshmoi edhe një herë vendosmërinë e saj për të hetuar zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, duke theksuar se oferta është tashmë në tryezën e shumicës.

“Dua t’ju kujtoj se raporti i KE-së fillonte duke cituar nenin 2 të Traktatit. Cila ësht arësyeja? Neni 2 i tregon këtij vendi që këtu nuk ka demokraci, këtu nuk ka drejtësi, këtu nuk ka barazi para ligjit, këtu shkelet dinjiteti njerëzor. Ofertën tonë e keni mbi tryezë. Nuk ka më alibi për retorikë kushtetuese. Shqipëria nuk ka më nevojë për refuzime të mëtejshme” - tha deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj.

Heqja e vizave 3-mujore për shtetasit shqiptarë në zonën Shengen mbizotëroi diskutimet e deputetëve demokratë. Ata kujtuan vështirësitë e mëdha të shqiptarëve për të udhëtuar jashtë vendit, dhe sidomos izolimin e gjatë të vendit nga vetë diktatura shqiptare.

“Regjimi i Enver Hoxhës importonte çdo vit rreth 18 mijë ton tela me gjemba për të rrethuar shqiptarët. Ata që përpiqeshin të kalonin kufirin pa lejen e klikës komuniste quheshin tradhtarë dhe vriteshin pa gjyq. Të arratisurit dënoheshin në bazë të nenit 127 të Kodit Penal për tradhëti të lartë ndaj atdheut. Statistikat e përafërta flasin për një numër të ekzekutuarisht mbi 3 mijë vetë. Dëshmitë janë ngjethëse; djem të rinj që shqyhen nga qentë e kufirit, të tjerët që priten në mes me 60-70 plumba, disa prej tyre tërhiqej si kufomë në rrugët e qyteteve dhe këto ndodhnin deri në vitin 1991” - tha deputetja demokrate, Mesila Doda.

Megjithë thirrjet e vazhdueshme për bashkëpunim, pozita dhe opozita nuk po ulen ende për një kompromis për reformat. Opozita madje, krahas ofertës së re për hetimin e materialeve zgjedhore, ka paralajmëruar protesta të reja. Kjo nuk është hera e parë që opozita socialiste organizon protesta. Ajo bojkotoi 6 muaj rresht parlamentin e ri, dhe tani që u kthye nuk merr pjesë në votim ligjesh. Pak kohë më parë zhvilloi një grevë urie në shëtitoren para kryeministrisë dhe një seri protestash në kryeqytet dhe qytetet e mëdha të vendit.

XS
SM
MD
LG