Lidhje

Tirana përkujton 20 vjetorin e rrëzimit të monumentit të diktatorit


Tirana përkujton 20 vjetorin e rrëzimit të monumentit të diktatorit

Tirana përkujton 20 vjetorin e rrëzimit të monumentit të diktatorit

Dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë u mblodhën sot në Tiranë për të festuar 20 vjetorin e rrëzimit të monumentit të diktatorit komunist Enver Hoxha nga piedestali në sheshin “Skënderbej”. Pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve në tubimin festiv tek sheshi “Nënë Tereza” ishin të rinj, por shumë prej tyre ishin edhe pjesëmarrës të atyre ngjarjeve dramatike që i dhanë fund regjimit diktatorial, duke i hapur rrugën demokracisë shqiptare pas 45 vjet vrasje, pushkatime, burgje dhe internime të kundërshtarëve politikë të komunistëve.

Kryeministri Sali Berisha, tha në tubim se “rrëzimi i monumentit të diktatorit komunist Hoxha nga piedestali në shkurtin e vitit 1991 ishte pika kulmore e grevës shumëditore e urisë së studentëve që donin të hiqnin emrin Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës”.

Zoti Berisha u kërkoi të pranishmëe që të mbanin një minutë heshtje në nderim të viktimave të pafajshme të regjimit komunist që vrau dhe burgosi pa gjyqe kundërshtarët demokratë vetëm se dëshironin lirinë e mendimit dhe të lëvizjes. Ai tha se “tani pas dy dekadash Shqipëria po ecën e sigurtë drejt vlerave më të mira të demokracisë perëndimore, pasi është antarësuar në aleancën veriatlantike, dhe po punon të antërësohet në BE”.

Ngjarjet historike shfrytëzohen shpesh në Shqipëri për t’iu referuar mësimeve të historisë së vendit dhe për të shqyrtuar sfidat e të ardhmes. Çfarë mendojnë studiuesit e shoqërisë, politikës dhe ekonomisë shqiptare për të ardhmen e Shqipërisë?

Drejtuesi i gazetës “Shqip”, Aleksandër Çipa, thotë se “20 vjet pasi rrëzoi monumentin e diktatorit Enver Hoxha, Shqipëria është ende në një trazim politik dhe në një disproporcion midis standartit që kanë e që duan qytetarët dhe atij niveli që përfaqësojnë politikanët. Sipas tij, ka një marrëdhënie të vështirë mes pozitës dhe opozitës, ndërsa qytetarët dhe brezat e rinj ndihen të papërfshirë, të papërfaqësuar.

“Shqipëria është në një çast politik delikat për të ripërcaktuar destinacionin dhe itinerarin politik. Destinacioni i mirënjohur është antërësimi në Europën e Bashkuar. Megjithatë paqartësitë dhe dilemat për këtë destinacion janë kaq të mëdha sa, sot me këtë përqafësim politik që jep elita, mendoj që nuk jemi te kthjellët dhe nuk jemi të qartë. Ka një mungesë kapaciteti të mirorganizuar, të miradministruar dhe një konkurrim politik që duhet ta mbajë Shqipërinë në nivelin e një standarti europian. Në të vërtetë, politikanët na mbajnë në një stanjacion krize, në të cilin as pala në opozitë nuk jep projektin e saj, dhe as pala tjetër në qeverisje nuk krijon hapësira për konkurrencë, gjë që është jetike për demokracinë” - thotë zoti Çipa.

Ndërsa Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike, thotë se në raport me Bashkimin Europian, ekonomia shqiptare është një ekonomi ende modeste, me afësi konkurruese shumë të limituar. “Si forcat e majta ashtu edhe e djathta, duhet të kapërcejnë populizmin në ekonomi, dhe të ndjkein modelet e suksesshme ekonomike” - thotë zoti Preçi. Sipas tij, zhdukja e monopoleve do të sjellë integrim më të shpejtë të ekonomisë shqiptare në atë europiane.

“Pas 20 vjetësh të rrëzimit të monumentit të diktatorit Hoxha, kushdo mund të konstatojë lehtësisht në Shqipëri se ky vend ka tashmë një ekonomi normale të tregut, një ekonomi të dominuar nga sektori privat, një ekonomi të liberalizur nga pikëpamja monetare dhe tregtare, e integruar në shkallë modeste në tregjet rajonale dhe globale. Ekonomia e tregut është dinamike dhe nuk mund të thuhet se kjo është një çështje e zgjidhur një herë e përgjithmonë. Sfidat për periudhat në vijim, mbeten pa diskutim, konsolidimi i institucioneve të ekonomisë së tregut dhe marrëdhënieve kontraktore në biznes, lufta kundër varfërisë, përpjekja për të zgjeruar punësimin dhe vetpunësimin në biznesin familjar, fokusimi më mirë në rritjen e vlerave të kapitalit njerëzor dhe rritja e fuqisë konkurruese të ekonomisë shqiptare për të zënë një segment në tregjet perëndimore, pra integrimi i saj në tregjet e Bashkimit Europian dhe në ekonominë globale” - thotë zoti Preçi.

Dhjetëra mijëra banorë të Tiranës mbështetën për shumë ditë grevën e urisë së mbi 700 studentëve që kërkonin heqjen e emrit të diktatorit Hoxha nga universiteti 20 vjet më parë. Ngjarja solli një kthesë domethënse dhe shpejtim të madh ngjarjeve politike të Shqipërisë së tejlodhur nga një diktaturë e gjatë dhe e etur për liri dhe demokraci.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG