Lidhje

Tiranë, vazhdojnë polemikat për reformën në drejtësi


Në Tiranë, vazhduan edhe sot polemikat mes pozitës dhe opozitës mbi reformimin e sistemit të drejtësisë.

Bisedimet mes palëve dhe këmbimi i propozimeve po kryhet jashtë komisionit parlamentar.

Ndërsa në parlament deputetët shkëmbyen akuza me tone të ashpra për mungesë vullneti mbi reformën.

Polemikat mbi reformën e sistemit të drejtësisë mes pozitës dhe opozitës kanë mbërritur në një pikë kritike në qarqet politike të Tiranës, teksa palët akuzojnë njëra tjetrën me të njëjtat argumenta, duke fajësuar njëra tjetrën me të njëjtat qëndrime të ndërsjellta, që ia marrin dhe ia kundërvënë rivalit politik.

Bisedimet dypalëshe, me ndërmjetës ose jo, nuk po zhvillohen më në sytë e opinionit publik.

Ajo që duket është mungesa e vazhdueshme e antarëve të opozitës në komisionin e posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi.

Tani palët ka disa ditë që i tregojnë njëra tjetrës se ia kanë plotësuar kërkesat palës tjetër, megjithatë mirëkuptimi nuk po vjen dhe tonet po ngrihen sërish.

Forcat kryesore politike përsëritin vazhdimisht se kanë vullnetin e duhur për ta kryer këtë reformë, dhe akuzojnë rivalët politikë se po u mungon vullneti.

Opozita po këmbëngul në pikën e fundit që lidhet me praninë e ekspertëve ndërkombëtarë në komisionet e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Vizita e ndihmës sekretares së departamentit amerikan të shtetit Viktoria Nuland u solli negociatave optimizëm së bashku me një formulë kompromisi, që u duk se i kënaqte të dyja palët.

Kryeministri Rama e miratoi menjëherë atë dhe ftoi kryetarin e PD-së Basha në një takim të dytë për t'i dhënë dorën e fundit projektit që po bisedohet prej shumë muajsh.

Por deri tani opozita nuk ka shprehur gjë për këtë ftesë takimi dhe as po përmbyll projektin, ndërsa zoti Basha ka thënë vetëm se me formulën hibride të sjellë të dielën e kaluar nga ambasadori Lu dhe zonja Nuland procesi është vetëm një hap drejt fundit.

Nga ana tjetër diplomatët amerikanë dhe europianë janë shprehur të zhgënjyer për qëndrimet e deritanishme të opozitës, sidomos pas të dielës, dhe i kanë bëë thirrje përgjegjshmërisë së deputetëve që ta miratojnë reformën e drejtësisë, që vlerësohet si mjaft e rëndësishme në procesin e integrimit të mëtejshëm drejt BE-së.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG