Lidhje

Për tre ditë Tirana “kryeqytet i paqes”

  • Armand Mero

​Papa Francesku mesazh për emigrantët në Takimin ndërkombëtar të Paqes: Të ngresh mure dhe barriera është dhunë. Në kryeqytetin shqiptar mbi 400 udhëheqës e përfaqësuesë fetarë, të istitucioneve apo figura të botës së kulturës

Çështja e emigracionit me valët e azilkërkuesve që janë dyndur në vendet e Europës, por dhe ajo e konflikteve dhe terrorizmit ishin sot në mbrëmje në qendër të fjalimeve në hapje të edicionit të 28-të të Takimit Ndërkombëtar të Paqes, në Tiranë, një nismë Komunitetit të Sant’Egidios.

Në mesazhin dërguar këtij takimi, Papa Françesku e cilëson si “dhunë ngritjen e mureve dhe barrierave për të penguar dikë që kërkon një vend të qetë. Eshtë dhunë të kthesh pas dikë që arratiset nga kushtet cnjerëzore me shpresën për një të ardhme më të mirë”. Më herët, gjatë ditës, Papa i bëri thirrje të gjitha kishave, kudo në Europë që të strehonin nga një familje emigrantësh. Edhe presidenti italian Sergio Mattarella, në mesazhin e tij, është në të njejtën linjë kur shprehet se “valës së refugjatëve që trokasin në dyart e vendeve perëndimore me shpresën për të gjetur shpëtim dhe të drejta, përgjigja e vendeve demokratike nuk mund të jetë mbyllja. Muret dhe telat me gjemba non do të mund të ndalojnë përhpajen e zjarrit”, shprehet ai.

Për tre ditë me radhë, deri të martën në mbrëmje, Tirana do të shndërrohet në “kryeqytetin e dialogut”, ndërsa mbi 400 udhëheqës dhe përfaqësuesë fetarë, institucionesh dhe figura të botës kulturore do të bashkohen për të mbështetur thirrjen se “Paqja është gjithnjë e mundur”, me të cilën identifikohet takimi i këtij viti. Dhe duke ju referuar këtij titulli, Papa Françesku shkruan se “Eshtë e nevojshme që kjo e vërtetë të riafirmohet pikërisht sot, ndërsa në disa pjesë të botës duket se po mbizotëron dhuna e persekutimi ndaj lirisë fetare, së bashku me nënshtrimin përballë conflikteve që zgjasin. Nuk duhet t’i nënshtrohemi kurrë luftës”, nënvizon Papa.

Ndërsa presidenti i Italisë Mattarella thekson se “zgjidhja është të vihemi në krye të proceseve botërore. Dhe për t’a bërë, nevojitet një aksion politik I zgjuar, largpamës dhe kurajoz, që të bashkojë dialogun, zhvillimin, integrimin dhe sigurinë për qytetarët”, shprehet presidenti Mattarella, duke bërë thirrje që “të luftohen dhe izolohen predikuesit e së keqes, atë që instrumentalizojnë fene, e tyre dhe të të tjerëve, për të përhapur dhunë dhe terror”.

Shqipëria është zgjedhur mes të tjerash si vendi i organizimit edhe për shkak se në një botë konfliktesh me bazë fetare shembulli i saj i bashkëjetesës fetare merr një peshë edhe më të veçantë. Hapja e tij u bë në pallatin e Kongresit, i cili siç kujtoi në fjalën e tij kryeministri Edi Rama “u cel për ti bërë jehonë propagandës më të shfrenuar të një regjimi atesit dhe sot ka mbedhur të gjithë ju si shprehja më kuptimplotë se paqja jo vetëm është e mundshme por dhe e vetmja mundësi që e ardhmja na ofron”, nënvizoi kryeministri.

Gjatë të hënës dhe të martës, janë 26 panele të ndryshme ku do të diskutohen tema të shumëllojshme, që përbëjnë edhe shqetësimet kryesore sot në botë. “Ne duam të vendosim gishtin mbi plagët e sotme, mbi vuajtjet dhe problemet kritike të botës”, thekson zoti Quattrucci, ndërsa shpjegon se gjatë takimit do të diskutohet për marrëdhëniet mes të krishterëve dhe muslimanëve, për situatën në Iraq, për raportet mes njerëzimit dhe mjedisit, do të flitet për Hiroshimën, 70 vjet pas shpërthimit të bombës atomike atje, do të flitet gjithashtu për Mesdheun i cili sot është bërë dhëshmitar i tragjedive të shumta njerëzore për qindra e mijëra njerëz që e shohin si rruga që i con drejt shpresës.

Takimi do të mbyllet të martën në mbrëmje në sheshin përballë Piramidës në Tiranë, ku pas lutjeve, të gjithë përfaqësuesit fetarë do të ribashkohen mbi një skenë të vetme, për të firmosur Thirrjen e Paqes, e cila simbolikisht do t’u dorëzohet 40 të rinjve që përfaqësojnë gjeneratat e ardhshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG