Lidhje

Tiranë: Analistët e komentojnë me skepticizëm vendimin e Gjykatës


Tiranë: Analistët e komentojnë me skepticizëm vendimin e Gjykatës
Tiranë: Analistët e komentojnë me skepticizëm vendimin e Gjykatës

Disa analistë të pavarur të jetës politike në Shqipëri e komentuan me skepticizëm vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë, që shpalli të pafajshëm zotin Ilir Meta nga akuzat për korrupsion. Ata thonë se kjo është një ditë e zezë për drejtësinë dhe antikorrupsionin dhe një ditë reflektimi për reforma të thella në sistemin gjyqësor.

Analistë të pavarur të jetës politike në Shqipëri pohuan sot se vendimi i Gjykatës së Lartë për të shpallur të pafajshëm nga akuzat për korrupsion kryetarin e LSI-së, Ilir Meta është një vendim sfidues ndaj përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për të luftuar korrupsionin.

Analisti Lutfi Dervishi thotë se ky vendim ishte i pritur dhe ngre shumë pikëpyetje: “Kjo është një ditë e keqe për drejtësinë, një ditë e zezë për drejtësinë, një ditë që nuk premton se drejtësia shqiptare përdor të njëjtin standard si ndaj një zyrtari të lartë ashtu edhe ndaj një keqpërbërësi të zakonshëm. Duket se jemi në një rreth vicioz; nga një anë kërkojmë gjykatë të pavarur, profesionale dhe këtë i kërkojmë politikës, që duhet të bëjë reformat, sepse gjykatësit nuk bëjnë dot ligje për veten. Nga anën tjetër është politika që ka interesa të ngushta me gjyqësorin. Politika me gjyqësorin më duken se njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja nxijnë fytyrën. Kemi të bëjmë me një tjetër vendim të diskutueshëm të Gjykatës së Lartë në vijim të vendimeve mjaft të diskutueshme që ka dhënë për zyrtarë të tjerë të lartë” - tha ai.

Zoti Dervishi tha se Gjykata e Lartë nuk e theu dot as sot rekordin që asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar në 20 vjet demokraci, por të gjithë e dinë cilësinë e punës në gjykatat shqiptare, të gjithë e dinë se një gjyq ta bën gjykata dhe një gjyq ta bën vetë opinioni publik. “është një çështje që ngre pikëpyetje mbi cilësinë e gjykatës. Pavarësisht, duhet mbajtur parasysh se ka një vendim të gjykatës, por ka edhe një vendim të opinionit publik. Të dyja këto vendime janë diametralisht të kundërta. Gjykata e Lartë unifikon edhe praktika. Ndonjëherë ka krijuar edhe precedentë të standartave të dyfishta për të njëjtën çështje. Këtu ngre pikëpyetje edhe për denoncimet e ardhshme me video të tjera që mund të ekzistojnë për korrupsion, ose që mund të kryhen në të ardhmen, sepse ajo i nxjerr të akuzuarit të pafajshëm. Pikëpyetje të tjera dalin edhe për cilësinë e punës së prokurorisë, që thërret gjithmonë ekspertë të hauj për çështje që ka ndjeshmëri të lartë dhe për cështje ka standard tjetër. Nuk ka qenë një ditë e mirë për drejtësinë, por ndoshta ka qenë një ditë e mirë për politikën” – tha ai.

Ndërsa analisti Ilir Aliaj, në Qendrën për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, thotë se “vendimi i Gjykatës së Lartë që rrëzoi akuzat ndaj Ilir Metës për korrupsion i ka dhënë një kundërgoditje shumë të madhe luftës kundër korrupsionit, dhe kur kjo vjen nga Gjykata e Lartë kjo është shumë e rëndë”.

Zoti Aliaj thotë se ky vendim nuk ka arësye për t’u festuar dhe se duhet të jetë një çast reflektimi për reformat e thella që nevojiten në sistemin shqiptar të drejtësisë. “Sot reforma në gjyqësor duhet të jetë shumë e thellë. Duhet të mendohemi shumë dhe duhet të bëjmë shumë. Të mos flasim, port ë mendojmë, t’i vëmë gishtin kokës dhe të vazhdojmë punën për një reformë të thellë në drejtësi. Nuk mendoj se është momenti për festime. Duhet të mendohemi shumë gjatë si shoqëri për atë që vjen pas kësaj dite” – tha ai.

Ish-zëvendës kryeministri Ilir Meta është një ndër të paktët zyrtarë të lartë që u akuza për korrupsion. Sipas deklaratave të kryeministrit Berisha, ai mund të kthehet përsëri në kabinetin qeveritar, nëse partia e tij LSI, pjeëtare e koalicionit qeverisës, kërkon ta bëjë përsëri ministër. Në 20 vjet, vetëm ish-kryeministri socialist Fatos Nano është dënuar për korrupsion, pasi u akuzua se vodhi ndihmat humanitare në fillim të viteve 90, por edhe ai u shpall i pafajshëm nga të njëjtat gjykata që e dënuan disa vjet më vonë kur ishte përsëri kryeministër.

XS
SM
MD
LG