Lidhje

Tjetër eksploziv në Tiranë

  • Armand Mero

Pas serisë së shpërthimeve dy ditë më parë, sot një tjetër sasi tritoli u gjend në një zonë të banuar pranë gjimnazit Petro Nini Luarasi. Debate dhe polemika të gjatë në parlament për situatën e sigurisë dhe rendit

Në Shqipëri një tjetër pako me eksploziv u gjend sot mes pallateve në një zonë qëndrore të kryeqytetit, me dyfishin e sasisë së tritolit të bombave që shpërthyen dy ditë më parë. Ajo u caktivizua në kohë nga ekspertët e policisë. Situata e krijuar pas këtyre ngjarjeve ishte në qendër të debateve të gjata në parlament, ku palët sërish shkëmbyen akuza të ndërsjella mes njëra tjetrës për lidhje me krimin në vend.

Në një bicikletë të lënë në këtë hapësirës të ngushtë mes pallateve në zonën përballë gjimnazit Petro Nini Luarasi në Tiranë, policia gjeti pas sinjalizimit të marrë në sallën operative, një pako të dyshimtë. Ekspertët zbuluan më pas se bëhej fjalë sërish për një pako me tritol, në një sasi prej afër 1 kilogram, e mbështjellë dhe e lidhur me një fije teli. Sipas burimeve, lënda shpërthyese ishte përzier edhe me gozhdë apo copëza metalike.

Në njoftimin e policisë edhe kjo ngjarje është kualifikuar si një akt terrorist, i cili vjen në një moment tensioni të krijuar në kryeqytet pas ngjarjeve të dy ditëve më parë ku dy bomba shpërthyen, ndërsa një e tretë e gjetur pranë një stacioni policie duket se nuk u arrit të aktivizohej për shkak të një problemi në mekanizmin ndezës. Ajo cka i dha një peshë edhe më të rëndë këtre ngjarjeve ishte fakti se njëra nga bombat kishte si objektiv një farmaci në pronësi të babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Situata e krijuar ishte sot në qendër të debateve të gjata dhe në parlament. Kryeministri Edi Rama foli me tone të ndezura ndërsa quajti të turpshëm qëndrimin e mbajtur nga opozita. "Si në asnjë vend tjetër demokratik në botë, opozita nuk e ka për gjë të pozicionohet në anën e krimit, përmes reagimesh që nuk dënojnë veprën terroriste, por të tregojë me gisht, ministrin e Brendshëm dhe familjen e tij si fajtorë që meritojnë bombat. Edhe gjaksit, kanuni i jep 24 orë qetësi në besë. Ndërsa ju nuk pritët as 4 orë për t’i shtuar bombës së terroristëve, aktin e dhunës tuaj të pashembullt verbale, ndaj njeriut që ishte objektiv i terrorit, ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi kryeministri duke ju drejtuar deputetëve të opozitës në sallë.

Por nga ana e tij kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka tha se opozita i ka paralajmëruar këto ngjarje për shkak të lidhjeve kriminale të shumicës qeverisëse: “Lidhur me ngjarjen e para dy ditëve, nuk i urojmë askujt të keqen, as Saimir Tahirit. Por nuk jemi ne fajtorë që gjendja ka ardhur këtu. Përkundrazi. Po na kërkojnë solidaritet. Të solidarizohemi për cfarë, luftën kundër krimit? Kemi bërë më shumë se kaq. E kemi paralajmëruar prej kohësh. Nuk i jepet zemër krimit zemër nga opozita. Krimit i jepet zemër kur e thërret për bashkëpunëtor për të ardhur në pushtet. I kërkon ndihmë edhe që të të mbajë në pushtet. E pastaj të kërkon haracin”.

Palët vijuan gjatë me shkëmbime akuzash, ndërkohë që klima që po mbizotëron në kryeqytet është e nderë. Edhe më parë në vend janë regjistruar atentate me eksploziv, të cilat në pjesën më të madhe kanë qenë ndaj personave edhe me predente penal. Ndërkohë që ngjarjet e 48 orëve të fundit kanë shtuar ndjeshëm pasigurinë.

Pasdite, një cantë e lënë në mes të rrugës, në një nga akset kryesore të kryeqytetit, disa qindra metra larg vendit ku dy ditë më parë u gjet eksplozivi i pashpërthyer, mbajti në ankth për afër 1 orë banorët. Vendi u rrethua nga policia, ndërsa lokalet rreth e rrotull u mbyllën. Normaliteti u kthye vetëm pasi ndërhyrjes së ekspertëve të policisë kur u zbulua se në brendësi të cantës nuk kishte asgjë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG