Lidhje

Tiranë: Kolegji Zgjedhor pushon çështjen e ngritur nga PS për njësinë 5


Tiranë: Kolegji Zgjedhor pushon çështjen e ngritur nga PS për njësinë 5

Tiranë: Kolegji Zgjedhor pushon çështjen e ngritur nga PS për njësinë 5

Kolegji Zgjedhor pushoi sot çështjen ankimore të paraqitur nga Partia Socialiste për tabelën e rezultatit të zgjedhjeve në njësinë bashkiake numër 5. Kolegji shqyrtoi për disa orë ankesën e Partisë Socialiste lidhur me vonesën e KQZ në publikimin e tabelës së rezultateve të komisionit zonal 49, dhe në fund vendosi ta pushojë çështjen. Me termat e juristëve, vendim pushimi për Kolegjin do të thotë ose se çështja nuk përmban lëndë ankimore, ose se lë në fuqi vendimet e mëparshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve; me pak fjalë kjo ankesë është rrëzuar.

Përfaqësues të Partisë Socialiste thanë megjithatë se “gjykimi në themel nuk ka përfunduar”. Sipas tyre, Kolegji Zgjedhor mund të jepte edhe sot një vendim, pasi nuk u dha asnjë argument i kundërt. Partia Socialiste i mban shpresat tek çështja tjetër që gjykon Kolegji nesër. Ajo është ankuar ndaj aktit normativ të miratuar nga KQZ, me të cilin u zyrtarizua numërimi i votave të rregullta të hedhura në kutitë e gabuara. Jozyrtarisht mendohet se shqyrtimi i ankesës së socialistëve për aktin nis të premten dhe vendimi mund të jetë të shtunën.

Kryeministri Sali Berisha, ftoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, nga foltorja e parlamentit që të pranojë rezultatet e zgjedhjeve dhe vendimet e gjykatave, si dhe të heqë dorë nga gjuha e ashpër, që mohon institucionet demokratike. Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se prêt që drejtësia të bëjë drejtësi dhe të mos bjerë pre e presioneve.

Diskutimet e sotme në qarqet politike dhe gazetareske u mbizotëruan nga intervista për zgjedhjet vendore dhe situatën politike e Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen, në “Zërin e Amerikës”. Gjithë mediat dhe gazetat e kishin lajm të parë, shoqëruar me komente. Po ashtu komentet e zotit Kantrimen mbizotëruan në gjithë fjalimet e mbajtura në parlament, ku deputetët e opozitës nuk morën pjesë. Vetëm dy deputetë socialistë u paraqitën në sallën plenare, siç u shprehën ata, në mbështetje të mesazheve paqësore dhe konstruktive që erdhën nga SHBA për mes fjalëve të zotit Kantrimen.

XS
SM
MD
LG