Lidhje

Tiranë-Prishtinë, në mars mbledhja e qeverive


Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi viziton Shqipërinë

Shqipëria dhe Kosova pritet të organizojnë brenda muajit mars mbledhjen e dytë të përbashkët mes qeverive. Këtë e njoftoi sot në Tiranë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaci. Kjo mbledhje do të analizojë ecurinë e projekteve të përbashkëta dhe do të përcaktojë bashkëpunimin e ardhshëm mes dy vendeve. Në kryeqytetin shqiptar zoti Thaci u prit nga autoritetet më të lartë shtetërore dhe politike të vendit, ndërsa Universiteti i Tiranës i dha atij titullin Honoris Causa.

Vizita e sotme në Tiranë është e para në rrafshin dypalësh, që zoti Thaci zhvillon që kur ai mori detyrën për të drejtuar diplomacinë e Kosovës. Ai pati takime të shumta të cilat u përqëndruan në thellimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat. Kriza e gjatë politike në Prishtinë shtyu përtej parashikimeve mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive, të cilat do të duhet të ishin takuar që në qershori e kaluar, pas vendimit që u mor në Prizren.

Por tani që Kosova ka qeverinë e re, palët duket se nuk duan të humbasin më kohë tjetër. Zoti Thaci njoftoi sot së mbledhja e dytë pritet të mbahet në muajin mars. “Shpresoj dhe besoj se për çka diskutuam konkretisht do të diskutojmë edhe me KM Rama, që në pjesën e dytë të marsit të mbahet mbledhja tjetër e dy qeverive, e Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, për të parë se deri ku kemi shkuar me zbatimin e atyre gjërave që jemi dakorduar në Prizren dhe natyrisht të marrim obligime të tjera të bashkëpunimit ndërinstitucional”, deklaroi ministri i jashtëm i Kosovës.

Zoti Thaci tha se vizita e tij në Shqipëri nuk ka lidhje me atë të kryeministrit serb Aleksandër Vucic në Kosovë, ndërsa theksoi se shkëmbimet mes Prishtinës dhe Beogradit “janë vizita tashmë gati normale, të zakonshme të dy shteteve edhe pse jo të njohura reciprokisht. Është një vizitë e karakterit humanitar dhe fetar, do të përurohet një spital dhe do të vizitohet një kishë në Graçanicë. Mendoj se ne duhet të fokusohemi që ta rrisim dhe intensifikojmë komunikimin, vizitat e ndërsjella dhe në asnjë rrethanë të mos i frikësohemi komunikimit dhe vizitave, qoftë në Beograd, qoftë në Prishtinë”.

Edhe Tirana mbetet e angazhuar për një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, pavarësisht se ato mbeten ende të tensionuara dhe cdo element qoftë dhe i vogël mund të bëhet shkas për shkëmbime replikash. “Politika e jashtme shqiptare, pavarësisht qëndrimeve mediatike që mund të vijnë nga homologe apo nga shtetet e tjera, do të mbetet e pandryshuar në nevojën për një bashkëpunim të mirë rajonal dhe për një raport më të normalizuar marrëdhëniesh ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë. Takimi trepalësh i organizuar nga Italia besoj se do t’i shërbejë pikërisht këtij qëllimi”, deklaroi ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati.

Ministrat e jashtëm të Italisë Shqipërisë dhe Serbisë pritet të takohen në Romë më 23 janar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG