Lidhje

Tiranë: Protestë për të drejtat politike të grave


Përfaqësues të shoqërisë civile zhvilluan sot një tubim proteste para parlamentit duke kërkuar përfshirjen e grave në institucionet vendimmarrëse. Ata sapo kanë krijuar Koalicionin për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, ku janë përfshirë veprimtarë dhe organizata që punojnë për barazinë gjinore dhe fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave. Protestuesit iu drejtuan parlamentit me disa kërkesa konkrete për reformën zgjedhore.

“Ne kërkojmë nga parlamenti dhe komisioni i reformës zgjedhore që Kodi Zgjedhor të vendosë si detyrim ligjor ndaj çdo partie politike kandidimin e 1 gruaje në çdo 3 emra, në çdo listë elektorale për deputetë, kryetarë bashkish dhe komunash, anëtarësh të këshillave bashkiake e komunalë. Kodi të sanksionojë me ligj detyrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos pranojë asnjë listë të kandidatëve në zgjedhje të partive politike, në KQZ dhe KZAZ, që nuk plotëson deyrimin 1 në 3” – tha Altin Hazizaj, një nga drejtuesit e këtij koalicioni.

Protestuesit thanë se gratë janë grupimi më pak e përfaqësuar në politikë dhe në vendimmarrje; me vetëm 16% deputete dhe vetëm 1% bashkiake. Ndërsa burrat kontrollojnë 84% të parlamentit dhe 98% të pushtetit vendor. “Kodi të garantojë se 30% e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor të jenë gra dhe vajza. Po ashtu, Kodi të fuqizojë sanksionet për eleminimin e votimit familjar, ku gratë, sidomos në zonat rurale, detyrohen të votojnë kundër dëshirës së tyre” – tha zoti Hazizaj.

Protestuesit thanë se Shqipëria moderne europiane nuk mund të qeveriset nga parti politike dhe institucione shtetërore të kontrolluara nga burrat, të cilët nuk respektojnë vlerat dhe cilësitë e gruas në shoqëri. Kuotat mendohet se janë mjeti më efektiv për përfshirje më të madhe të grave në politikë, një numër i caktuar paraprakisht për to. Sipas raportit të Bashkimit Ndër-Parlamentar, një organizatë e lidhur me OKB-në, Shqipëria, ka vetëm një ministre në qeverinë me 15 anëtarë, radhitet e 84-a mes mbi 100 vendeve të botës për pjesëmarrje të grave në qeverisje. Po ashtu, Shqipëria ka 22 deputete midis 140 posteve ligjevënëse, dhe renditet e 82-a për pjesëmarrje të grave në parlament.

XS
SM
MD
LG