Lidhje

Tiranë: Vritet një nga drejtuesit e fabrikës së çimentos së Fushë Krujës


Në Tiranë një nga drejtuesit e Fabrikës së Çimentos së Fushë Krujës, Anuar Rizvik 43 vjeç me origjinë palestineze, mbeti i vrarë sot në mëngjes pas një shpërthimi të një eksplozivi të vënë në portën e jashtëme të banesës së tij në një nga lagjet më të populluara të kryeqytetit.

Rizvik humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda nga shpërthimi në momentin që ai hapi portën për të dalë nga banesa. Ai jetonte prej vitesh në Shqipëri dhe aktualisht ishte zëvendësmenaxher i Fabrikës së Çimentos.

Pikërisht funksioni i tij pranë kësaj fabrike është edhe pista kryesore që po ndjekin hetuesit. Pronarët e fabrikës prej kohësh ishin në konflikt me banorët e zonës për probleme pronësie apo dhe të ndotjes. Linjat hekurudhore që përdoren për ngarkesën e çimentos në fabrikë kanë qenë shpesh objekt i hedhjes në erë.

Forca speciale të policisë mësohet se kanë shoqëruar mbi 15 persona, kryesisht banorë të një fshati aty pranë, të cilët dhe më parë ishin dyshuar për sulmet ndaj fabrikës.

XS
SM
MD
LG